Dy ushtarë nga kazerma “Jane Sandanski” në Shtip njëri 40 vjeçar dhe tjetri 28 vjeçar kanë përfunduar në spital me lëndime të rënda trupore. Burime të Alsat bëjnë të ditur se 40 vjeçari nga Kratova, epror në kazermë ka sulmuar fizikisht një ushtar profesionist shqiptar nga Shkupi. Nga MPB thonë se gjatë kryerjes së detyrave zyrtare ka ndodhur incident.
“Më 17.02.2026 në ora 01:00 në SPB Shtip nga Klinika e Shtipit është denoncuar se tek ta me lëndime trupore janë sjellë E.H (28) nga fshati Studeniçan i Shkupit dhe D.A (40) nga Kratova, dy ushtarë profesionistë të punësuar në ARMV në kazermën “Jane Sandanski” në Shtip. Pas ndërmarrjes së masave është konstatuar se lëndimet i kanë marrë gjatë kryerjes së detyrave në poligonin ushtarak “Penush” në Shtip, gjatë kryerjes së realizimit të ushtrimeve”, njoftojnë nga MPB.
Lëndimet i konfirmojnë edhe nga Armata e RMV-së. Nga atje nuk zbardhin detaje se në çfarë rrethanash ka ndodhur incidenti por vetëm njoftojnë se që të dy pjesëtarët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Ju informojmë se për dy personat tanimë janë ndërmarrë masa në përputhje me rregullat ekzistuese. Ju informojmë se dy personat janë në gjendje të mirë shëndetësore. Armata ngelet e përkushtuar në respektimin e procedurave dhe standardeve gjatë kryerjes së aktiviteteve”, thonë nga ARM.
Sulmi fizik ndaj një ushtari profesionist nuk është i vetmi në kazermën e Shtipit pasi më herët atje ka pasur edhe disa incidente të tjera. Muaj më parë një ushtar me iniciale F.J pati përfunduar në Spitalin Psikiatrik pas disa sjelljeve të çuditshme në kazermë. /Alsat.mk



