Ukraina po rrit kundërsulmin e saj duke rimarrë territore nga trupat ruse

Forcat ukrainase po rrisin ritmin dhe shkallën e kundërsulmit të Kievit, pasi kanë arritur të eliminojnë javë të tëra të përparimeve të Rusisë dhe të çlirojnë shumë vendbanime të vogla në Ukrainën juglindore në rajonin e Zaporizhzhisë gjatë javës së kaluar, tregojnë raportet.

Sipas Institutit për Studimin e Luftës (ISW) me seli në SHBA, përparimi kryesor ukrainas është regjistruar afërsisht 80 kilometra në lindje të qytetit të Zaporizhzhisë, ku forcat ruse kishin arritur përparime që nga vera e vitit 2025, transmeton Telegrafi.

Forcat ukrainase kanë rimarrë gjithashtu kontrollin e territorit në Ukrainën verilindore dhe lindore, në frontet Kharkiv, Kostiantynivka, Pokrovsk dhe Novopavlivka.

Trupat e Kievit filluan të ngadalësojnë trupat ruse rreth një javë më parë dhe në shumë zona ndaluan kryesisht përparimin e tyre.

ISW deklaroi se kundërsulmet ukrainase ka të ngjarë të shfrytëzojnë bllokimin e fundit të aksesit të forcave ruse në Starlink.

Që nga fillimi i shkurtit, ministria e mbrojtjes e Ukrainës dhe SpaceX i Elon Musk kanë bllokuar trupat ruse nga përdorimi i Starlink për të operuar dhe kontrolluar dronët sulmues mbi Ukrainë.