Mbreti Charles III i ka dërguar letër urimi presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Në letrën e publikuar nga Ambasada Britanike në Kosovë, thuhet se Charles III i ka shprehur urimet më të mira për popullin e Kosovës derisa ka theksuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve.
“Kjo ditë shërben si një mundësi e çmuar për të reflektuar mbi miqësinë e qëndrueshme ndërmjet kombeve tona. Jam thellësisht i inkurajuar nga forca e lidhjeve tona dypalëshe dhe mbetem i përkushtuar për të nxitur bashkëpunim edhe më të ngushtë në vitet që vijnë”, thuhet ndër të tjera në letër. “Ndërsa përballemi me sfidat e përbashkëta të kohës sonë, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me klimën dhe ruajtjen e botës sonë natyrore, shpresoj që vendet tona të vazhdojnë të punojnë së bashku në kërkim të zgjidhjeve domethënëse dhe afatgjata”.
Të martën, më 17 shkurt, Kosova feston 18-vjetorin e Pavarësisë.



