Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se garancitë e sigurisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të vijnë përpara çdo kompromisi të mundshëm territorial nga ana e Ukrainës.
Duke folur të hënën, Zelensky tha se pala amerikane i ka kërkuar Kievit të heqë dorë nga pretendimet ndaj territoreve të pushtuara nga Rusia, me premtimin për garanci sigurie në këmbim.
“Miqtë tanë amerikanë po përgatisin garanci sigurie. Por ata thanë, së pari ky shkëmbim territoresh, ose diçka e tillë, dhe pastaj garancitë e sigurisë. Unë besoj se garancitë e sigurisë duhet të vijnë të parat”, theksoi ai.
Zelensky shtoi se Ukraina është e gatshme për kompromis, por jo në dëm të sovranitetit të saj. “Çfarë kompromisi jemi të gatshëm të bëjmë? Jo një që do t’i lejojë Rusisë të rikuperohet shpejt dhe të vijë përsëri dhe të na pushtojë”, deklaroi ai.
Presidenti ukrainas rikujtoi edhe Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, kur Ukraina hoqi dorë nga arsenali bërthamor sovjetik në këmbim të garancive për sovranitet dhe pavarësi.
“Ne hoqëm dorë nga armët tona bërthamore dhe të tjera. Shumë aeroplanë, dhjetëra. I dorëzuam dhe morëm garanci sigurie. Në fund të fundit, nuk kemi as ato armë dhe nuk kemi garanci sigurie. Askush nuk e mbrojti pavarësinë tonë”, tha Zelensky.
Ai shtoi se çdo marrëveshje e re për garanci sigurie do të duhet të kalojë përmes një votimi në Kongresin amerikan, para se të hyjë në fuqi.



