Vendimi për VLEN-in, Gashi: Mbështes çdo vendim të kryetarit Bekim Sali

Kreu i Kuvendit, ish kryetar i Alternativës në kohën kur u arrit marrëveshja e bashkëpunimit në VLEN, Afrim Gashi, thotë se do të mbështesë cilindo vendim eventual që Bekim Sali merr për funksionimin e mëtejshëm.

Gashi në takimin joformal me gazetarët u pyet për qëndrimet e partisë së tij, rreth funksionimit eventual të VLEN-it me dy kryetarë, Kasamin e Mexhitin, si dhe me ndarjen e pozitave partiake 70% për to dhe 30% të ndarë mes Alternativës, Arben Fetait dhe Bekim Qokut.

Ai tha se qëndrimi personal i tij është që VLEN duhet të vazhdojë të funksionojë mbi parimin e baraspeshës dhe konsensualitetit.

“Kryetari aktual dhe zv.kryeministri i parë Bekim Sali e ka mbështetjen time të plotë të vendosë së si mendon se është më mirë për partinë por dua t’u siguroj se jemi duke biseduar për të gjetur mënyrën më të mirë se si të bashkohet VLEN-i dhe kjo të këtë efekt më të mirë jo vetëm për parti të caktuara politike por edhe për sferën politike shqiptare si dhe për nomenklaturën partiake dhe politike në shtet. Ne kemi kaluar dy cikle të vështira ligjore, dhe mendoj se dy momente janë të rëndësishme; baraspesha si parim dhe vendimmarrja konsensuale. Këto dy parime kyçe na sollën këtu dhe mendoj se është mirë t’i kemi parasysh”, tha Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit.

Gashi nuk nguroi të përgjigjet se nëse Sali, hipotetikisht, është i pakënaqur dhe largohet nga qeveria, ai do të jepte dorëheqje nga pozita e kreut të Kuvendit.

Besa pak ditë më parë shkarkoi kryesinë si një hap drejt bashkimit të VLEN-it. Të njëjtën gjë tha se do ta bëjë edhe Lëvizja Demokratike.

“Pra VLENI një është synim i përbashkët dhe në këtë drejtim hapin që e mori BESA dhe z.Bilall Kasami unë e përshëndes dhe besoj se shpejt do e përcjellin edhe subjektet tjera brenda VLEN-it”, u shpreh Izet Mexhiti – Kryetar i LD / VLEN.

“Kuvendi Qendror i Lëvizjes Besa me shumicë votash miratoi vendimin për shkarkimin e kryesisë qendrore të Lëvizjes Besa në vazhdën e procesit të filluar për bashkimin e VLEN-it në një subjekt të vetëm”, tha Bilall Kasami – Kryetar i L.Besa / VLEN.

Jozyrtarisht, për ndarje proporcionale në katër është edhe zv.kryeministri Arben Fetai, edhe pse formalisht nuk ka parti politike. / Alsat.mk