Zelensky mbështet iniciativën e Macron për dialog me Rusinë: Putini do të ndajë Evropën

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se nuk është kundër përfshirjes së presidentit francez Emmanuel Macron në negociatat me udhëheqësin rus Vladimir Putin, por theksoi se bashkëpunimi dhe koordinimi evropian janë thelbësore në këtë proces.

Zelensky bëri të ditur se është në dijeni të planit të Macron për të zhvilluar bisedime me Putinin, duke shtuar se homologu i tij francez ka qenë i hapur dhe i sinqertë në lidhje me këtë çështje.

Ky është vendimi i tij, ai më tha për qëllimin për të zhvilluar këtë bisedë. Emmanuel ishte shumë i sinqertë me mua për këtë”, u shpreh presidenti ukrainas.

Ai nuk shprehu asnjë kritikë ndaj qëllimeve të Macron, duke theksuar besimin e tij në mbështetjen e vazhdueshme të Francës për Ukrainën.

Megjithatë, Zelensky nënvizoi se negociatat me Federatën Ruse duhet të zhvillohen në mënyrë të koordinuar me vendet evropiane, për të shmangur përçarjet.

“Mendoj se Evropa duhet të vendosë se si dëshiron t’i koordinojë negociatat. Sepse sipas mendimit tim, Putini do të luajë lojëra me njërën palë, me tjetrën, pastaj me të tretën dhe me të katërtën, për ta ndarë Evropën dhe për t’u dhënë të gjithëve karamele, dhe vetëm për t’u dhënë atyre ndjesinë se kanë një fjalë vendimtare”, theksoi ai.

Presidenti ukrainas shprehu gjithashtu pakënaqësi për faktin që Evropa nuk ishte pjesë e negociatave me Rusinë në formatin e ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

© SYRI.net