Edona Llalloshi publikon fotografi nga nënshkrimi i betimit si deputete: Zëri juaj do të jetë udhërrëfyesi im çdo ditë

Këngëtarja e njohur shqiptare Edona Llalloshi ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në rrugëtimin e saj publik, duke u betuar të mërkurën si deputete e Kuvendit të Kosovës.

Artistja, e cila prej vitesh gëzon popullaritet të madh në skenën muzikore, vazhdon kështu angazhimin e saj edhe në jetën politike të vendit.

Momentin e betimit ajo e ndau me ndjekësit përmes një fotografie të publikuar në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, ku shfaqet duke nënshkruar dokumentin e betimit – procedurë që e ka kryer tashmë për herë të dytë si e zgjedhur deputete nga qytetarët e Kosovës në krah të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në mbishkrimin e fotografisë, Llalloshi theksoi peshën morale dhe profesionale që, sipas saj, mbart ky rol, duke u shprehur: “Sot dhashë betimin për herë të dytë si deputete. Ky betim përtej aspektit formal është përgjegjësi morale e profesionale. Shpresoi dhe besoi thellësisht se tanimë do të fillohet me punë konkrete, me përkushtim, ndershmëri dhe vizion, në interes të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës. Qytetarë të dashur, zëri i juaj do të jetë udhërrëfyesi im çdo ditë. Zoti e bekoftë Kosovën! Zoti e bekoftë popullin e Kosovës! Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës! Na priftë e mbara”.

Seanca e së mërkurës ishte e rëndësishme për institucionet e vendit, pasi me 66 vota pro u votua Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Në këtë kontekst, betimi i deputetëve shënoi nisjen zyrtare të legjislaturës së re parlamentare, ku Edona Llalloshi do të vazhdojë të ushtrojë mandatin e saj, duke ndërthurur përvojën artistike me angazhimin politik.