Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar sot në Kuvend lidhur me vazhdimin e debatit për refuzimin e kërkesës së studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
Snopçe theksoi se, ndonëse kryeministri ka ndryshuar qëndrim për këtë çështje, institucionet ende po e bllokojnë një të drejtë legjitime të studentëve shqiptarë. Ai shtoi se Qeveria mund ta gjejë zgjidhjen shumë lehtë, duke u bazuar në modelin e Kosovës, ku provimi i jurisprudencës realizohet jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën serbe.
Sipas tij, refuzimi i vazhdueshëm i kësaj kërkese dëshmon një përplasje qëndrimesh mes Ministrit të Drejtësisë, Fillkov, dhe kryeministrit, për çka Qeveria nuk duhet të presë interpelancë parlamentare, por të marrë përgjegjësi politike.
“Nëse ministri Fillkov merr vendime në kundërshtim me qëndrimet e kryeministrit dhe jashtë kornizave të Kushtetutës dhe ligjit, atëherë përgjegjësia bie mbi Qeverinë. Nuk ka nevojë për interpelancë – propozimi për shkarkim duhet të vijë nga vet kryeministri,” deklaroi Snopçe.
Ai theksoi se problematizimi i kësaj çështjeje për interesa të ulëta politike po bëhet nga vet ministri Fillkov, duke dëmtuar drejtpërdrejt studentët shqiptarë dhe parimin e barazisë gjuhësore.
Në fund, Snopçe nënvizoi se qëllimi i vërtetë duhet të jetë rritja e cilësisë dhe besueshmërisë së provimit të jurisprudencës, duke garantuar kushte të barabarta për të gjithë kandidatët.





