Në Shqipëri, opozitarja Partia Demokratike, u rikthye në shesh, duke zhvilluar protestën e tretë kombëtare kundër qeverisë, ku u kërkua largimi i kryeministrit Edi Rama dhe dorëzimi i zv/kryeministres Belinda Balluku përballë drejtësisë. Protesta u mbajt në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, ku mbështetës të PD-së u mblodhën nga ora 17:00, në një tubim të thirrur nga kryetari i partisë, Sali Berisha, i cili më herët e kishte cilësuar këtë ditë si “kryengritje paqësore”. Megjithëse tubimi u zhvillua nën masa të shtuara sigurie, skenari i protestës mbeti kryesisht paqartë. Për garantimin e rendit dhe sigurisë, në terren u angazhuan 1.350 efektivë policie, ndërsa u bllokua qarkullimi në disa segmente kryesore rrugore të kryeqytetit, përfshirë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe rrugët përreth. Në varësi të situatës, policia vendosi kufizime të përkohshme edhe në akse të tjera. Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë u bëri thirrje më herët qytetarëve amerikanë të shmangnin zonën e protestës, për shkak të rrezikut të mundshëm të përshkallëzimit të situatës.
Kosovë-Shqipëri Opozita “pushton” Bulevardin e Tiranës! Kërkohet dorëheqja e Ramës dhe Ballukut



