Qeveria, në seancën e sotme, bazuar në propozimin e Ministrisë së Drejtësisë, ka miratuar Ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë. Ky ligj duhet të përfaqësojë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të pavarësisë, llogaridhënies dhe transparencës së sistemit të prokurorisë publike, transmeton Portalb.mk.
Ndryshimet kryesore në Projektligj:
- Një procedurë e detajuar për shkarkimin e Kryetarit dhe Zëvendëskryetarit të Këshillit, e cila iniciohet në bazë të një kërkese të arsyetuar nga të paktën katër anëtarë të Këshillit.
- Një rol i forcuar i Këshillit në procedurën për zgjedhjen dhe shkarkimin e Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë mundësinë e paraqitjes së një iniciative për shkarkim në Parlament.
- Transparencë e shtuar e punës së Këshillit, përmes publikimit të procedurës disiplinore të shkallës së dytë, me përjashtime të përcaktuara qartë për mbrojtjen e të dhënave personale, reputacionin e palëve dhe interesa të tjera legjitime.
- Futja e kritereve të sakta dhe të qarta për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit, të cilat garantojnë ekspertizë, përvojë dhe integritet, duke ndjekur shembullin e Ligjit të ri për Këshillin Gjyqësor.
- Një procedurë e detajuar për shkarkimin e një anëtari të Këshillit, me afate të sakta dhe kritere të qarta.
Projektligji, së bashku me projektligjin për Zyrën e Prokurorit Publik, morën një opinion pozitiv të përbashkët nga Komisioni i Venedikut.
Kujtojmë se Qeveria, më 30 dhjetor 2025, miratoi Ligjin për Prokurorinë Publike, si një nga hapat kyç në zbatimin e Agjendës reformuese nga Fusha 5 – Vlerat Themelore, me fokus të veçantë në sundimin e së drejtës. Ndërsa më 29 dhjetor, Parlamenti miratoi Projektligjin për Këshillin Gjyqësor me 73 vota “pro” dhe 1 “abstenim”. Ky ligj vendos bazat për një Këshill Gjyqësor të fortë, të pavarur dhe transparent, me qëllim forcimin e besimit të qytetarëve në gjyqësor.
Ligji në fjalë, sikurse edhe ky i Prokurorisë Publike, është pjesë e Agjendës reformuese, që kishin afat miratimi deri në qershor dhe dhjetor 2025, por që vendi nuk arriti t’i përmbushë në kohë.



