246 mijë euro për një banesë me 83 metra katrorë

Një apartament me sipërfaqe 83 metra katrorë në Komunën Qendër të Shkupit është shitur për 246.171 euro, që përfaqëson çmimin më të lartë të arritur për një banesë në periudhën tetor–dhjetor 2025, sipas të dhënave nga Regjistri i Çmimeve dhe Qirave të publikuara nga Agjencia e Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme.

Në këtë periudhë, çmimi më i lartë për metër katror ka arritur në 182.404 denarë, ndërsa apartamenti më i shtrenjtë i shitur ndodhet në territorin e Komunës Qendër.

Sipas raportit, nga tetori deri në dhjetor 2025, në të gjithë territorin e vendit janë regjistruar 1.004 apartamente të reja ose banesa të shitura direkt nga investitorët, që është për 159 apartamente më shumë krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025. Gjithashtu, në Agjencinë e Kadastrës janë regjistruar 27.522 fletë për parashënim ndërtimi, që tregon se këto objekte janë në fazë ndërtimi dhe pritet të dalin së shpejti në tregun e pasurive të paluajtshme.

Numri më i madh i apartamenteve të shitura është regjistruar në Komunën Aerodrom, me gjithsej 304 banesa të shitura gjatë këtij tremujori. Ndërkohë, numri më i madh i shtëpive të shitura është regjistruar në Komunën e Manastirit (Bitola), ku janë shitur 91 shtëpi. Sa i përket hapësirave afariste, më së shumti shitje janë realizuar në Komunën Qendër, me 31 hapësira afariste të shitura.

Në kategorinë e tokës bujqësore dhe pyjeve, më së shumti shitje janë regjistruar në Komunën e Kumanovës, me 110 transaksione, ndërsa ndërtimet në tokë ndërtimore kanë qenë më të shumta në Komunën Gjorçe Petrov, me 43 shitje. Gjatë këtij tremujori janë regjistruar gjithashtu 194 shitje garazhesh në disa komuna të vendit.

Në periudhën nga 1 tetori deri më 31 dhjetor 2025, në Regjistrin e Çmimeve dhe Qirave janë regjistruar gjithsej 9.283 transaksione, që përfshijnë shitblerje dhe qiradhënie. Kjo shifër paraqet një rritje prej 964 transaksionesh krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025, duke treguar rritje të ndjeshme të aktivitetit në tregun e pasurive të paluajtshme.

Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 5.084 shitje, 1.094 shitje nga investitorë, 40 blerje nga shteti dhe 12 shitje përmes ankandeve, që në total përbëjnë 6.230 shitblerje pasurish të paluajtshme, ose 95 më shumë se në tremujorin e tretë të vitit 2025. Sa i përket qiradhënieve, janë regjistruar 3.053 kontrata qiraje, që përfaqëson një rritje prej 869 qiradhëniesh krahasuar me tremujorin paraprak.

Të dhënat tregojnë se 55 për qind e transaksioneve lidhen me shitje, ndërsa 33 për qind me qira, që së bashku përbëjnë 88 për qind të gjithë tregut të pasurive të paluajtshme.

Muaji dhjetor shënon numrin më të madh të transaksioneve, me 3.274, ndërsa muaji nëntor ka pasur numrin më të ulët, me 2.797 transaksione. Në dhjetor janë regjistruar edhe më së shumti shitje – 1.863, ndërsa më së shumti qira janë regjistruar në tetor, gjithsej 1.106.

Sa i përket shpërndarjes gjeografike, më së shumti transaksione janë realizuar në Komunën Qendër (812), pasuar nga Aerodromi (645), Shtipi (634), Karposhi (472), Manastiri (415) dhe Gazi Baba (410). Në anën tjetër, numri më i ulët i transaksioneve është regjistruar në komuna si Makedonska Kamenica, Konçe, Lozovë, Novaci, Zërnovci, Haraçinë, Gradsko, Vevçan, Qendër Zhupë dhe Pllasnicë.

Sipas Agjencisë së Kadastrës, në 41 komuna të vendit janë regjistruar nga 0 deri në 50 transaksione, çka tregon ndarje të theksuar të tregut – komuna me treg të zhvilluar dhe komuna ku tregu i pasurive të paluajtshme pothuajse nuk funksionon.

Nga gjithsej 3.053 qira të regjistruara në tremujorin e katërt të vitit 2025, 1.369 i përkasin apartamenteve, 911 hapësirave afariste, 399 shtëpive, 257 tokës bujqësore dhe pyjeve. Krahasuar me tremujorin e tretë, është regjistruar rritje prej 869 qiradhëniesh.

Sipas të dhënave të publikuara më herët nga Banka Popullore, çmimet e pasurive të paluajtshme janë rritur për 25 për qind në baza vjetore në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, pas rritjes prej 25,1 për qind në tremujorin e tretë.

Ndërkohë, të dhënat e fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave tregojnë se në nëntor të vitit të kaluar janë dhënë 304 leje ndërtimi, që është rritje prej 16,9 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak. Me këto leje parashihet ndërtimi i 761 apartamenteve, nga të cilat 427 në Rajonin e Shkupit, 113 në Rajonin Lindor, 82 në Rajonin Jugperëndimor, 79 në Rajonin e Pelagonisë, 38 në Rajonin e Pollogut, 15 në Rajonin e Vardarit, 4 në Rajonin Juglindor dhe 3 në Rajonin Verilindor.