Kabineti i sigurisë i Izraelit miraton masa për ta forcuar kontrollin mbi Bregun Perëndimor

Kabineti i sigurisë i Izraelit të dielën ka miratuar masa që synojnë ta thellojnë kontrollin izraelit mbi Bregun Perëndimor të pushtuar dhe ta dobësojnë fuqinë tashmë të kufizuar të Autoritetit Palestinez, transmeton agjencia “AP”. 

Zyra e ministrit të Financave Izraelit, Bezalel Smotrich, i cili është nga një parti e ekstremit të djathtë, tha se vendimet do ta bënin më të lehtë për kolonët hebraikë që t’i detyrojnë palestinezët të heqin dorë nga toka.

“Do të vazhdojmë ta varrosim idenë e një shteti palestinez”, u tha nga zyra e Smotrichit.

Yonatan Mizrachi, një studiues në grupin mbikëqyrës “Paqe Tash”, tha se vendimi është shumë domethënës. Ai tha se vendimi ende kërkon aprovim nga komandanti kryesor i Izraelit për Bregun Perëndimor.

Ndërkohë presidenti palestinez Mahmoud Abbas në një deklaratë e quajti vendimin e rrezikshëm dhe “një përpjekje të hapur izraelite për ta legalizuar zgjerimin e vendbanimeve” dhe “konfiskimin e tokave”.

Ai bëri thirrje që Shtetet e Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të ndërhyjnë menjëherë.

Grupi militant palestinez Hamas u bëri thirrje palestinezëve në Bregun Perëndimor “ta intensifikojnë përballjen me pushtuesit”.

Masat e njoftuara të dielën përfshijnë anulimin e një ndalimi për shitjen e tokës së Bregut Perëndimor te hebrenjtë izraelitë, deklasifikimi i të dhënave të regjistrit të tokës së Bregut Perëndimor për ta lehtësuar blerjen e tokave, transferimin e planifikimit të ndërtimit të vendeve fetare dhe vendeve tjera të ndjeshme në qytetin e paqëndrueshëm të Hebronit te autoritetet izraelite dhe lejimi i zbatimit izraelit të çështjeve mjedisore dhe arkeologjike në zonat e administruara nga palestinezët.

Masat po ashtu do ta ringjallnin një komitet që do të lejonte shtetin e Izraelit të bënte blerje “proaktive” të tokës në territor.