FSK-ja e gjen trupin e pajetë të Jurgen Karajt, i riu shqiptar ishte zhdukur para një muaj në rrjedhën e lumit Mat

Ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë gjetur trupin e pa jetë të të riut shqiptar Jurgen Karaj, i cili ishte mbytur në lumin Mat para një muaj.

Forca e Siguresë së Kosovës ka dhënë detaje për këtë aksion.

“Me kërkesë të autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka angazhuar një kontingjent të specializuar të Kërkim-Shpëtimit nga Regjimenti i Mbrojtjes Civile i Gardës Kombëtare, i cili iu bashkua operacionit në zonën e Klosit për kërkimin e një personi të zhdukur në rrjedhën e lumit Mat. Pas angazhimit intensiv dhe bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet shqiptare, ekipet e kërkim-shpëtimit arritën të lokalizojnë dhe të gjejnë trupin e pajetë të personit të humbur”, është thënë në njoftimin e FSK-së.

“Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, në emrin e tij personal dhe në emër të gjithë personelit të FSK-së, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimës. Gjithashtu, Komandanti i FSK-së falënderon personelin e angazhuar për përkushtimin, profesionalizmin dhe disiplinën e treguar gjatë përmbushjes së këtij misioni. Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në misionin e saj humanitar dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, gjithmonë në shërbim të jetës, sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve”, është thënë në njoftim.