Mersim Maksuti: Refuzimi i dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, obstruksion kundër gjuhës shqipe

Refuzimi i dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, përkundër asaj se nuk e ndalon Ligji, nga ana e Ministrit të Drejtësisë Filkov, paraqet strategji dhe obstruksionit kundër gjuhës shqipe. Ky është vlerësimi i profesorit universitar të juridikut, Mersim Maksuti. Sipas tij ky akt i refuzimit, do të shërbej edhe si nje argument plus para gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në tendencën e tyre tashmë të kuptuar, për ta abroguar Ligjin për përdorimin e gjuhëve në iniciativën e ndërmarr përpara kësaj Gjykate, raporton Portalb.mk.

“Për të pamundësuar zbatimin e saj në të gjitha procedurat gjyqësore para gjykatave, në prokuroritë publike, në procedurat e organeve të administratës shtetërore në të gjitha nivelet e pushtetit shtetëror, në trupat, komisionet dhe në të gjitha institucionet tjera publike që sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve (2019) janë të obliguara sipas detyrës zyrtare të zhvillohen edhe në gjuhën të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve lexo: në gjuhën shqipe si dhe vendimet dhe aktet tjera që dalin nga kompetenca e këtyre institucioneve t’i nxjerrin edhe në këtë gjuhë”, shkroi Maksuti në rrjetet sociale.

Ai shtoi se barra e përgjegjësisë për ta mbrojt gjuhën shqipe, “bie mbi vetë ne shqiptarët, në radhë të parë mbi ish ministrat shqiptarë të pushtetit të kaluar që udhëhiqnin me Ministrinë e Drejtësisë dhe nuk e rregulluan asnjëherë këtë çështje ku sipas Ligjit është në kompetencë të tyre”

“(Përgjegjësia), pastaj mbi partitë politike shqiptare në pushtetin aktual, ku bashkë me ministrat shqiptarë duhet të ushtrojnë presion më të madh ndaj partnerëve të tyre të koalicionit qeveritar për zgjidhjen e kësaj çështje, si dhe të ngrihet më fuqishëm zëri i botës akademike universitare dhe asaj studentore shqiptare, ku në mënyrë më të organizuar do të vihet në mbrojtje të kësaj kauze”, thotë Maksuti.

Së fundmi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj. Peticioni është dorëzuar te Ministra e Drejtësisë, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, kryetari i Kuvendit dhe zëvendëskryeministri i parë.

Ministria e Drejtësisë për Portalb.mk pas peticionit tha se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në shqip sepse shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase, e cila është kusht ligjor për ushtrimin e profesioneve juridike (gjyqtar, prokuror, avokat, noter, përmbarues).

Duke e komentuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve, Ministria e Drejtësisë thotë se zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve nuk mund të shqyrtohet në mënyrë të izoluar, por në korelacion me rregulloret e tjera relevante, edhe atë: me Ligjin për avokatinë, Ligjin për gjykatat, Ligjin për prokurorinë publike, Ligjin për përmbarim dhe Ligjin për noterinë, si tërësi.