Çështja e provimit të jurisprudencës vetëm në gjuhën maqedonase ka nxitur reagime të shumta, pasi studentët shqiptarë, të cilët studiojnë në gjuhën shqipe, kërkojnë që provimi më i rëndësishëm për juristët të mbahet edhe në gjuhën amtare, duke e cilësuar testimin në maqedonisht si diskriminues. Përmes një peticioni të nënshkruar nga 385 studentë, kërkesa është dërguar në Kuvend, Qeveri dhe Ministrinë e Drejtësisë, por kjo e fundit ka mbetur në qëndrimin se njohja e maqedonishtes është e domosdoshme për sistemin e drejtësisë. Ndërkohë, ekspertët, shoqëria civile dhe përfaqësues politikë vlerësojnë se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik, ndërsa akuzat për përgjegjësi politike dhe institucionale vazhdojnë, me studentët që paralajmërojnë protesta nëse kërkesa e tyre nuk merret parasysh, shkruan Portalb.mk në këtë analizë të detajuar.
Çfarë kërkojnë studentët?
385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.
Peticioni është dorëzuar te Ministra e Drejtësisë, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, kryetari i Kuvendit dhe zëvendëskryeministri i parë.
“Jemi të mendimit se ekzistojnë të gjitha mekanizmat ligjorë për dhe mundësitë praktike që tashmë provimi i Jurisprudencës të mund të zhvillohet si në gjuhën maqedonase, ashtu edhe në gjuhën shqipe, në të dy pjesët përbërëse të tij, me shkrim dhe me gojë”, thuhet në peticion.

Qeveria: Do ta shqyrtojmë
Nga Qeveria thanë se peticioni ka arritur në kabinetin e zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë, Bekim Sali, i cili është në koordinim të vazhdueshëm me institucionet e tjera kompetente.
“I njëjti do të shqyrtohet dhe do t’i japim një përgjigje të duhur opinionit publik, në përputhje me dispozitat ligjore”, thanë nga Qeveria për Portalb.
Kuvendi: E kemi përcjellë te Ministria e Drejtësisë
Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit të RMV-së për Portalb.mk thanë se Afrim Gashi e konfirmon se ka pranuar peticionin e studentëve.
“Peticionin e ka përcjellë tek Ministri i Drejtësisë. Njëkohësisht Gashi ka komunikuar me përfaqësuesit e studentëve dhe ka konfirmuar mbështetjen e tij të plotë për çështjen e ngritur”, thanë nga kabineti i Gashit.
Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve: S’jemi kompetentë
Në lidhje me peticionin e parashtruar nga studentët, nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhëve theksojnë “se organ kompetent për organizimin, realizimin dhe mbajtjen e provimit të jurisprudencës, përfshirë formimin e komisione e, procedurat përkatëse dhe mbajtjen e evidencës, është Ministria e Drejtësisë”.
Ministria e Drejtësisë: Nuk ka provim në shqip, maqedonishtja e domosdoshme
Ministria e Drejtësisë ka thënë se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në shqip sepse shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase, e cila është kusht ligjor për ushtrimin e profesioneve juridike (gjyqtar, prokuror, avokat, noter, përmbarues).
Duke e komentuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve, Ministria e Drejtësisë thotë se zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve nuk mund të shqyrtohet në mënyrë të izoluar, por në korelacion me rregulloret e tjera relevante, edhe atë: me Ligjin për avokatinë, Ligjin për gjykatat, Ligjin për prokurorinë publike, Ligjin për përmbarim dhe Ligjin për noterinë, si tërësi.
“Përkatësisht, provimi i jurisprudencës është parakusht themelor për të hyrë në profesione të ndryshme në sistemin e gjyqësorit, e me këtë rast nga natyra dhe qëllimi i këtyre profesioneve buron edhe nevoja e njohjes aktive të gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thanë nga Ministria e Drejtësisë.
Reaguan Studentët: Nëse nuk bëhet shqip, do dalim në protesta
Nismëtari i peticionit, Mevlan Ademi tha se janë të zhgënjyer nga përgjigja e paqartë juridike e Ministrisë së Drejtësisë, siç thotë provimi i jurisprudencës ka për qëllim vlerësimin e njohurive juridike jo atyre gjuhësore, siç ishin arsyetuar nga ministria.
“Ende nuk kemi përgjigje nga disa të adresuarit tanë të peticionit, u bëjmë thirrje institucioneve dhe deputetëve të reagojnë për të njëjtën. Ish-ministri i drejtësisë ka dorëzuar propozim-ligj që zgjidh problemin tonë kështu që u ngelet deputetëve të veprojnë. E mbajmë të hapur mundësinë e përshkallëzimit të nismës tonë me ndonjë protestë”, tha Ademi.
Zëvendëskryeministri: Ministria e Drejtësisë nuk është e gatshme ta respektojë Kushtetutën
Zëvendëskryeministri Bekim Sali thotë se ka defekt në ligj i cili nuk ka precizuar gjuhën në të cilin duhet të jepet provimi i jurisprudencës dhe këtë defekt do mundohen ta përmirësojmë apo ta precizojnë.
“Siç duket Ministria e Drejtësisë nuk është e gatshme ta respektojë Kushtetutën e vendit, e cila nënkupton gjithçka që është mbi 20 përqind e popullsisë në vendin tonë duhet të respektohet gjuha amtare që nënkupton gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare dhe është e drejtë e çdo juristi apo të diplomuari provimin e jurisprudencës ta jep në gjuhën amtare, në gjuhën shqipe”, tha Sali.
Inspektorati u zotua se do veprojë
Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut e ka pranuar kërkesën e studentëve që provimi i jurisprudencës krahas gjuhës maqedonase të mbahet edhe në shqip. Por nga ky institucion nuk ka përgjigje të qartë se si do të veprojnë më tej për këtë rast.
“Çdo lëndë e cila dorëzohet në Inspektorat shqyrtohet në mënyrë profesionale, objektive dhe me përgjegjësi ku pastaj Inspektorati vepron dhe ndërmerr veprime në kuadër të kompetencave të tij të parapara me ligj. Po ashtu, Inspektorati është i disponueshëm për bashkëpunim me organe të tjera kompetente në nivel më të lartë gjatë shqyrtimit të zgjidhjeve të përshtatshme, duke dhënë kontributin e tij në kuadër të kompetencave të përcaktuara me ligj”, thanë nga Inspektorati.
Nga Inspektorati në mënyrë shtesë njoftuan se peticioni nuk është iniciativë dhe për të vepruat Inspektorati i Përdorimit të Gjuhëve gjegjësisht për të realizuar mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese është e nevojshme që të parashtrohet iniciativë në përputhje me nenin 58 dhe 62 të Ligjit për Mbikëqyrje Inspektuese.
Avokati i Popullit hapi lëndë
Avokati i Popullit e ka konfirmuar për Portalb se kanë hapur procedurë lidhur me provimin e jurisprudencës i cili nuk ofrohet në gjuhën shqipe, por vetëm në maqedonisht. Ndonëse nuk ka të dorëzuar ndonjë nismë konkrete deri te Zyra e Avokatit të Popullit, Faton Selami ftoi qytetarët të cilëve u është shkelur kjo e drejtë që të njëjtën ta paraqesin.
“Avokati i Popullit nuk do të kufizohet vetëm në pritjen e parashtresave individuale. Në përputhje me kompetencat e përcaktuara me Ligjin për Avokatin e Popullit, do të inicioj menjëherë procedurë me vetëiniciativë për shqyrtimin e kësaj çështjeje. Në këtë kuadër, do të realizohet një analizë e dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, si dhe e veprimeve të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me zbatimin e këtij ligji në organizimin dhe zhvillimin e provimit të jurisprudencës”, thanë nga Selami.
Nga aty shtuan se për gjendjen e konstatuar dhe veprimet e ndërmarra nga Avokati i Popullit publiku do të njoftohet në formë plotësuese.

Selmani: Ministrat kanë qenë shqiptarë, dikush nuk e ka kryer obligimin
Profesori universitar i juridikut, Bashkim Selmani është i mendimit se gjuha shqipe është kategori kushtetuese dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve e mundësojnë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe.
“Fatkeqësisht kjo e drejtë u është mohuar studentëve shqiptarë pa të drejtë për arsye se gjuha shqipe është zyrtare gjithë aty ku flitet dhe komunikohet në gjuhën shqipe dhe shteti është i detyruar t’i përshtatet të drejtës ligjore”, tha Selmani.
Megjithatë ai kritikon se ka pasur neglizhencë të ekspertëve gjuhësorë dhe subjeketeve, pasi me sjelljen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i njëjti ligj për gjuhën shqipe duhej të përfshihej edhe në ligjet tjera. Për këtë arsye, ai thotë se ligji i gjuhëve nuk përfshi edhe në sistemin gjyqësor dhe kjo e ka vështirësuar ushtrimin e të drejtës gjuhësore.
Ai thotë se ministrat e drejtësisë kanë qenë shqiptarë, dhe se nuk e kanë kryer këtë detyrim ashtu siç e parasheh kushtetuta dhe ligji.
“Institucionet, në këtë rast Ministria e Drejtësisë mban një përgjegjësi jashtëzakonisht të lartë dhe janë të detyruara tu mundësojnë dhënien e provimit në gjuhën shqipe, të harmonizohen aktet nënligjore me kushtetutë dhe ligjin për gjuhë dhe të garantohet barazi reale dhe jo formale në sistemin e drejtësisë”, tha Selmani.
FNA: RMV-ja të ndjekë shembullin e vendeve që e ofrojnë provimin në disa gjuhë
Drejtori i Forumit për Ndryshime në Arsim, Blendi Hodai thotë se nuk përbën logjikë që derisa gjuha shqipe konsiderohet zyrtare, ka ligj për përdorimin e gjuhëve dhe ka universitete që ofrojnë mësim në shqip, që provimi i jurisprudencës të mos u ofrohet në gjuhën shqipe studentëve.
Ai thotë se provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk përbën aspak rrezik, sepse ka shtete në Bashkimin Evropian por edhe përtej oqeanit si Kanadaja që provimi i jurisprudencës ju ofrophet qytetarëve apo juristëve në gjuhë tjera duke reflektuar demografinë e shteteve.
“Shembull në Kanada provimi i jurisprudencës është në anglisht dhe frëngjisht, në Belgjikë ofrohet në gjuhën holandeze, belge dhe në disa rajone edhe në gjuhë gjermane. Në Zvicër nëse nuk gabohem ofrohet në tre gjuhë: gjermane, frënge dhe italiane. Pra meqë jemi shtet që aspirojmë drejt BE-së me doemos duhet të përshtatemi me realitetin e shteteve evropaine dhe të mos e konsiderojmë si rrezik ofrimin e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhë tjetër që është gjuha shqipe”, tha Hodai.
Ambasada Shqiptare: E kemi adresuar çështjen
Shqetësimet e studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase kanë arritur edhe në Ambasadën e Shqipërisë në Shkup.
Ambasadori Denion Meidani për Portalb.mk tha se e kanë adresuar këtë çështje në instancat relevante.
“Kërkesat e studentëve për qasje të barabartë në arsim dhe në proceset profesionale janë pjesë e një debati më të gjerë mbi zbatimin praktik të të drejtave të garantuara me ligj dhe funksionimin efektiv të institucioneve”, tha Denion Meidani.

Akuza dhe zotime politike
Kërkesat e studentëve kanë marrë jehonë edhe në skenën politike.
Bashkimi Demokratik për Integrim, i cili ishte për mbi 20 vite në pushtet dhe që nuk arriti ta zgjidh këtë çështje, tani nga opozita kërkon që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Portalb.mk prej ditësh pret përgjigje nga BDI-ja se pse nuk u gjet zgjidhje gjatë 20 viteve të saj në pushtet, por nga aty nuk përgjigjen, ndërkaq dërgon kumtesa për mediat. Kjo situatë tregon një kontrast të madh të kësaj partie. BDI sot pozicionohet si avokate e barazisë gjuhësore, ndërkohë që kur kishte mundësinë reale ligjore dhe institucionale për ta adresuar këtë çështje, nuk veproi,
“Vendimi i Ministrisë së Drejtësisë, i drejtuar nga Igor Filkov, për të refuzuar zyrtarisht peticionin e studentëve dhe për të lejuar dhënien e provimit të jurisprudencës vetëm në gjuhën maqedonase, përbën një hap serioz prapa në respektimin e të drejtave kolektive të shqiptarëve dhe një barrierë të drejtpërdrejtë për përfaqësimin e barabartë në sistemin gjyqësor”, thanë nga BDI.
Në ndërkohë, BDI në Kuvend ka dorëzuar propozim-ligj për ndryshime dhe plotësime të ligjit për provimin e jurisprudencës, me të cilin mundësohet që provimi të jepet edhe në gjuhën shqipe
Ngjashëm, edhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit herë pas here ka qenë pjesë e Qeverisë dhe nuk e ka zgjidhur këtë çështje. Tani, edhe ata nga opozita janë rreshtuar në mbështetje të studentëve.
“Refuzimi i Ministrisë së Drejtësisë dërgon një mesazh të rrezikshëm: mohimi i gjuhës shqipe nuk është thjesht një vendim administrativ, por një alarm serioz për drejtësinë, barazinë dhe frymën demokratike në vend”, thanë nga ASh Taravari.
Ndërkohë, nga radhët e pushtetit, Bilall Kasami nga koalicioni VLEN garantoi se do ta zgjidhin çështjen e provimit të jurisprudencës që të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
“Nuk është që bëjmë zhurmë apo bujë të madhe në opinion, por ajo që mund të garantojmë që kjo çështje do të zgjidhet në interes të studentëve”, tha Kasami.
Nisma filloi edhe para një viti e gjysmë, pa rezultat
Kjo nismë nuk është e re, e njëjta filloi edhe para një viti e gjysmë, por hasi në vesh të shurdhër.
Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.
Ish-ministri i drejtësisë, Krenar Lloga në fund të mandatit të tij tentoi të ndërmerr hapa më konkrete por s’pati kohë t’i procesojë ndryshimet, ndërkaq pushteti aktual këtë tani për tani s’e ka në plan.
Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për Provimin e Jurisprudencës është dorëzuar në Kuvendin e RMV-së në janar 2024, por nuk arriti të sheh zbatim në praktikë.
“Qeveria e re, edhe kryetari parlamentit e hoqën nga kalendari i 2024, d.m.th. fajtorë, bashkëfajtorë është kryetari i kuvendit së bashku me qeverinë veçanërisht me ministrin e Drejtësisë sepse e tërhoqën ligjin dhe nuk e dorëzuan prapë për 2024 edhe pse ishte e paraparë në kalendarin e punës për 2024”, tha Krenar Lloga për Portalb.mk.
Pak statistika etnike
Nga viti 2020 deri në 2023 studimet për drejtësi dhe kriminalistikë në gjuhën shqipe i kanë kryer gjithsej 976 studentë, në Universitetin e Tetovës (drejtimi drejtësi dhe kriminalistikë) dhe Universitetin e Evropës Juglindore. Nërkaq ky numër është ende më i lartë sepse nga viti 2024 u akreditua edhe Fakulteti Juridik në Universitetin “Nënë Tereza”.

Nga viti 2020 deri në vitin 2024 janë lëshuar gjithsej 846 vërtetime për dhënie të provimit të jurisprudencës. Megjithatë, Ministria e Drejtësisë nuk ka të dhëna se sa prej këtyre studentëve i janë nënshtruar provimit të jurisprudencës, thonë se kandidatëve për këtë provim “nuk iu kërkohet se në cilin universitet i kanë kryer studimet”.
Jozyrtarisht, numri i studentëve shqiptar që i janë nënshtruar këtij provimi në krahasim me atë të studentëve maqedonas është shumë i vogël.

Një numër i vogël i studentëve shqiptar pranohen në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publik, ku gjithashtu i gjithë procesi zhvillohet në gjuhën maqedonase. Portalb-i siguroi të dhëna statistikore për këtë.

Çfarë thonë ligjet?
Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet ekskluzivisht se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.
Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.
Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.
Të gjitha lajmet për këtë temë mund t’i gjeni KËTU.





