Më 06.02.2026, Sektori për Luftimin e Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit pranë Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër B.D. (33), M.D. (29) dhe S.E. (25), që të gjithë nga Shkupi, për veprat penale „bashkim kriminal“, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 394 paragrafi 1, dhe „prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregtim i paautorizuar i armëve ose lëndëve plasëse“, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 396 të Kodit Penal.
Në kuadër të procedurës parahetimore është vërtetuar se ekziston dyshimi se personat janë organizuar për t’u hakmarrë për vëllezërit e tyre, të cilët gjatë vitit të kaluar u akuzuan dhe u dënuan për veprën penale „organizatë terroriste“. Sipas provave të mbledhura deri më tani, të dyshuarit kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar, si një grup me përcaktim të përbashkët ideologjik, të bazuar në narrativa radikale islamike. Sipas dyshimeve, janë ndërmarrë aktivitete për mbledhjen e mjeteve financiare nga vendi dhe jashtë saj, për të cilat ekziston dyshimi se janë përdorur për propagandë dhe aktivitete të Shtetit Islamik, si dhe për furnizim me armë.
Me urdhër të Gjykatës Themelore Penale Shkup, e nën udhëheqjen e prokurorit publik nga PTHP NKOK, dje nga ana e punonjësve të policisë janë kryer bastisje në shtëpi dhe hapësira të tjera në disa lokacione në Shkup. Gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike me dy karikatorë dhe 44 fishekë, dy pistoleta me tre karikatorë dhe 14 fishekë, një pushkë gjuetie, një pushkë ajrore, një bombë dymi dorë, municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe materiale të tjera dëshmuese.





