ASH: Studentët në pritje, institucionet në heshtje

Ministria e Drejtësisë refuzimin e kërkesës së studentëve e ka arsyetuar me një arsye banale dhe juridikisht të paqëndrueshme: se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pasi shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase. Ky arsyetim është i papranueshëm dhe bie ndesh me parimet kushtetuese dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

Aleanca për Shqiptarët shpreh mbështetje të plotë për nismën e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, i cili me mesazhin e drejtpërdrejtë “FOLI SHQIP o taj!” artikuloi një të drejtë themelore që po mohohet padrejtësisht. Përkrahim iniciativën e Avokatit të Popullit, i cili ka hapur procedurë lidhur me refuzimin e kërkesës së studentëve dhe ka paralajmëruar se çështjen do ta shqyrtojë edhe me vetëiniciativë, përmes analizës së Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe veprimeve konkrete të Ministrisë së Drejtësisë.

Aleanca për Shqiptarët gjykon deklaratën e Zëvendëskryeministrit të Parë, Bekim Sali, i cili refuzimin e Ministrisë u përpoq ta relativizojë duke e quajtur Ligjin për Provimin e Jurisprudencës “me defekte”, pasi nuk e precizon gjuhën e dhënies së provimit. VLEN është në Qeveri për të zgjidhur probleme, jo për t’u ankuar për ligje që i zbaton vetë prej vitesh.

Me shqetësim shtrojmë pyetjen: pse Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, peticionin e studentëve shqiptarë e delegoi te Ministria e Drejtësisë dhe nuk e procesoi në Kuvend? Pse i iku përgjegjësisë parlamentare dhe zërin e studentëve shqiptarë ia dorëzoi një ministrie me qëndrime të njohura dhe të betonuara antishqiptare? Ministri i Drejtësisë, me këtë veprim, vendos veten mbi Kushtetutën, mbi ligjin, mbi Qeverinë dhe mbi çdo institucion tjetër të vendit, duke cenuar rëndë parimet e shtetit të së drejtës dhe barazinë e qytetarëve.

Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të qëndrojë në mbrojtje të së drejtës së studentëve shqiptarë dhe të përdorimit të barabartë të gjuhës shqipe, si e drejtë kushtetuese dhe jo si privilegj që varet nga vullneti politik i një ministri.

Aleanca për Shqiptarët