Urgjenca jonë evropiane dhe raportet Trump-BE



Shkruan: Florian NESIMI

Viti i parë i mandatit të Trump-it ka tronditur Amerikën, por edhe pjesën tjetër të botës. Si rrjedhojë në mes SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian po ndërtohen marrëdhënie të reja të cilat fatkeqësisht duken të tensionuara. Uashingtoni po sinjalizon se tërhiqet nga angazhimi i drejtpërdrejtë në procesin e zgjerimit të BE-së. Thënë ndryshe, Amerika po i thotë Brukselit “kujdesu vet për oborrin tënd”.

Kjo shihet si një lajm shqetësues për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, pasi që SHBA-të kanë qenë historikisht aleati më i fuqishëm dhe ndihmësi kryesor në procesin e eurointegrimeve të vendit tonë. Në vitin 2025 dhe 2026, sinjalet amerikane për distancim nga zgjerimi i BE-së dhe fokusi në prioritetet e brendshme amerikane e kanë bërë edhe më të qartë këtë tërheqje. Pa ndihmesën amerikane, procesi i zgjerimit rrezikon vazhdimisht të bllokohet dhe të vonohet. Në rrugën tonë të integrimeve evropiane tani jemi të vetmuar dhe duhet vetë të vendosim për të ardhmen e vendit, pa mos shpresuar në ndonjë ndihmesë nga jashtë.

Në këto kohë të turbullta në sferën e politikës ndërkombëtare, ku siç duket po vendoset një rend i ri botëror, qëndrimi i mëtutjeshëm jashtë ombrellës së BE-së përbën rrezik të madh për të ardhmen e shtetit. Sepse në raportet ndërmjet superfuqive botërore, kur ndahen sferat e interesit në gjeopolitikën ndërkombëtare, shtetet e dobëta mund të bien nëndonjë sferë të interesit edhe pa dëshirën e tyre. Në politikën ndërkombëtare vlen një parim që thotë: shtetet e forta e bëjnë atë që munden ndërsa shtetet e dobëta e bëjnë atë që duhet. Në këtë aspekt, Maqedonia e Veriut duhet të bëjë atë që e ka patjetër, e që njëherit është zgjidhja më e shpejtë dhe më e lehtë: ndryshimet kushtetuese që me automatizëm nënkuptojnë hapjen e kapitujve me BE-në.

Shikuar nga një këndvështrim tjetër optimistik, krijimi i raporteve të reja në mes Amerikës dhe BE-së, mund të shndërrohet në një mundësi të re për Bashkimin Evropian. Tërheqja amerikane nga procesi i zgjerimit e shtyn Brukselin të merr më shumë përgjegjësi, duke përshpejtuar reformat e saja të brendshme dhe duke gjetur modalitete të reja për zgjerim.

Aktualisht në Bruksel zhvillohen diskutime intensivepër modele të reja zgjerimi, sidomos për shkak të bllokadës së Hungarisë ndaj Ukrainës. Disa ide përfshijnë mundësinë e pranimeve të shpejta ose “të kufizuara” (pa të drejtë vetoje, pa komisarë të plotë apo pa të drejtë të votës në disa fusha). Këto kufizime do të vlenin derisa shtetet të plotësojnë kriteret e plota. Këto propozime synojnë kryesisht Ukrainën (për ta integruar sa më shpejt, për shkaqe sigurie pas), por integrimi i Ukrainës mund të krijojnë precedent edhe për vendet e tjera kandidate si Maqedonia e Veriut, e cila bllokohet nga vetoja bullgare.

Nëse Brukseli gjen mënyrë për të kapërcyer veton hungareze për Ukrainën, e njëjta logjikë duhet të vlejë edhe për bllokadën bullgare ndaj nesh.

Por pa marrë parasysh se a do të miratohen apo ajo modelet e reja të zgjerimit, ky është momenti vendimtar që Maqedonia e Veriut të bëjë ndryshimet e nevojshme kushtetuese sa më shpejt, duke u kthyer në rrugën e përshpejtuar të integrimit evropian. Sepse në një botë ku superfuqitë po rinegociojnë sferat e ndikimit, qëndrimi jashtë BE-së na lë në situata të palakmueshme. Integrimi i shpejtë evropian mbetet mbrojtja më e mirë për të ardhmen e vendit tonë.