Gjykata Themelore në Gjakovë ua ka caktuar masën e sigurisë 22 të dyshuarve për falsifikim të rezultateve të votimit nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Atyre u është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor.
Gjykata ka mbajtur tri seanca të ndara dëgjimore mbrëmjen e së premtes dhe aty ka refuzuar kërkesat e Prokurorisë Themelore për caktim të paraburgimit.
Në kërkesën e Prokurorisë thuhej se 22 të dyshuarit në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime të marra nga KQZ, në Qendrën Komunale të Numërimit në Gjakovë, e vendosur në palestrën e sporteve “Shani Nushi”, me veprime të kundërligjshme kanë ndërhyrë në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet e tij, me ç’rast kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve dhe ndaj tyre ka caktuar masën e paraqitjes në stacion policor”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Me këtë vendim, të pandehurit do të paraqiten në stacion policor për një periudhë prej një muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data 6 shkurt 2026 deri më 5 mars 2026.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit ligjor.



