Real Madridi vazhdon kërkimet për një mbrojtës në afatin kalimtar të verës dhe është rikthyer te një opsion i mëparshëm, i cili dukej se ishte përjashtuar. “Los Blancos” kanë parë disa objektiva të tyre të bien dakord për transferime te klube të tjera gjatë muajve të fundit.
Pozita e mbrojtësit qendror mbetet një nga prioritetet kryesore në “Santiago Bernabeu” për verën e ardhshme, së bashku me përforcimin e mesfushës qendrore.
Pavarësisht afrimit të Dean Huijsen, largimet e mundshme të Antonio Rudiger dhe David Alaba në përfundim të kontratave të tyre do ta linin Real Madridin vetëm me Raul Asencio, Huijsen dhe Eder Militao në këtë repart.
Militao ka munguar në pjesë të mëdha të sezonit gjatë tre viteve të fundit për shkak të dëmtimeve, çka e ka shtuar edhe më shumë nevojën për një përforcim të ri në qendër të mbrojtjes.
Dy nga emrat që ishin në listën e dëshirave të Real Madridit ishin Marc Guehi dhe Dayot Upamecano, por të dy kanë rënë dakord për kontrata respektivisht me Manchester Cityn dhe Bayern Munichun.
Një tjetër emër që ishte përmendur edhe më herët është Ibrahima Konate, i cili është pa kontratë te Liverpooli.
Në muajin nëntor, Real Madridi kishte njoftuar klubin anglez se nuk po e ndiqte më transferimin e francezit, por javën e kaluar u raportua se Konate është rikthyer sërish në planet e klubit spanjoll.
Gazetari Matteo Moretto i ka dhënë më shumë peshë kësaj ideje në Radio Marca, duke theksuar se Real Madridi ka kontaktuar sërish agjentët e Konatés për të pyetur mbi situatën e tij.
Ndërkohë, Ramon Alvarez shton se një skenar i ngjashëm ishte ndjekur edhe në rastin e Antonio Rudiger, i cili u transferua si lojtar i lirë nga Chelsea, pasi fillimisht Real Madridi ishte tërhequr nga ndjekja e tij për t’u rikthyer më pas.
Përveç Koantes, në listë për përforcimin e mbrojtjes janë përmendur edhe talenti i akademisë Joan Martinez dhe mbrojtësi i Comos, Jacobo Ramon, i cili u shit nga Real Madridi te klubi i Serie A gjatë kësaj vere.




