Deputetja e koalicionit VLEN, Mimoza Musa në një intervistë për Alsat M lidhur me kërkesën e studentëve që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, tha se një kërkesë e tillë është legjitime dhe VLEN e mbështet një nismë të tillë.
“Ky problem daton që nga viti 2019, ndërsa ka hyrë në fuqi në vitin 2020. Ka zbrazëtira ligjore, kushtetuta e njeh gjuhën shqipe dhe duhet që provimi i jurisprudencës të mundësohet të jepet në gjuhën shqipe. Në takimin që pata me kolegët e VLEN jemi në gjetje e sipër të një modusi që me harmonizimin a akteve ligjore ta tejkalojmë këtë problem dhe të mos lejojmë ky provim të bëhet barrierë gjuhësore për studentët”, tha Musa.
Sipas saj, BDI ka pasur hapësirë të mjaftueshme që ta mundësojë këtë provim në shqip, nuk e ka bërë dhe tani nga opozita po bën zhurmuesin, duke ia lënë fajin VLEN-it.
“Sigurisht jam pro ligjeve që mundësojnë të tejkalojmë një problem që tangon shoqërinë si dhe të tejkalojmë inatet politike, pavarësisht a vjen propozimi nga qeveria apo opozita, nëse janë në të mirën e përgjithshme konkretisht të këtyre studentëve, jam për t’i mbështetur”, ka thënë tutje Musa.
Sa i takon Kodit zgjedhor dhe grupeve të punës në Kuvend, deputetja Mimoza Musa tha se koalicioni VLEN ka dërguar dy emra, Saranda Imerin dhe Zekerija Tahirin në përpilimin e Kodit të ri zgjedhor dhe javët në vazhdim pret të fillojnë bisedimet mes anëtarëve të grupit.
Ajo theksoi se nuk kanë ende një qëndrim për një Njësi zgjedhore.
Sipas saj, nuk presin bllokada nga opozita lidhur me ligjin për përfaqësimin e drejtë, por mbështetje i cili garanton përfaqësimin e drejtë dhe adekuat në institucione shtetërore. VLEN, shton ajo mbështet shfuqizimin e qeverisë teknike, por në takimin e liderëve siç tha është theksuar të votohet tani, por të hyjë në fuqi në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kur ato të mbahen.
Musa: Secili partner i barabartë, ky është çelësi i suksesit të VLEN-it
Deputetja e koalicionit VLEN, Mimoza Musa në intervistën për Alsat-M ka thënë se i gjithë fokusi është të gjendet modeli më i mirë për funksionimin brenda VLEN-it dhe temë dytësore është se cili model i kryetarit të zgjidhet dhe se këtë siç tha, “do ta diskutojmë në momentin kur të finalizohen bisedimet e bashkimit të VLEN-it në një parti”.
Sa u takon ndarjes së pozitave, parimi themelor i VLEN, siç potencon deputetja Musa ka qenë 25 përqindëshi dhe sigurisht se do të vazhdojë të funksionojë si i tillë.
“Mendoj se ky ka qenë çelësi i suksesit të VLEN pasi askush nuk ka kërkuar diçka më tepër por secili është parë si partner i barabartë dhe kjo ka qenë formula e suksesit në zgjedhjet lokale dhe parlamentare”, ka thënë Musa.
Dera e VLEN-it është e hapur për këdo
Lidhur me atë nëse deputeti i pavarur Ilir Demiri mund t’i bashkohet shumicës dhe nëse ka kontakte më të, deputetja Musa tha se në kuadër të Kuvendit, kanë komunikim me të gjithë kolegët, pa dallim partie apo nacionaliteti.
“Nuk mund të komentojmë qëndrimet e Ilir Demirit, janë reflektime personale të tij, dera e VLEN-it është e hapur për këdo, por nuk është se edhe i bëjmë ftesë personalisht dikujt që të bëhet pjesë e VLEN-it”, ka thënë Musa.(INA)



