Gjyqi për rastin “Shtekli”, u prezantuan ekspertiza forenzike dhe analiza ADN

Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot vazhdoi gjykimi për rastin kundër Rade Trajkovski-Shtekli dhe të tjerëve të akuzuar për prodhim dhe shpërndarje të paligjshme të drogës. Gjatë seancës së sotme u prezantuan prova materiale, përfshirë procesverbalet e kontrollit, konfirmime për konfiskime të përkohshme dhe ekspertiza forenzike mbi substancat narkotike dhe gjurmët biologjike të gjetura.

Para gjykatës u prezantuan prova lidhur me kontrollin e një automjeti “Opel” me targa të Shkupit, i drejtuar nga njëri prej të akuzuarve. Sipas materialeve të paraqitura, nën sediljen e shoferit u gjet një kuti cilindrike dhe një qese me një substancë të bardhë pluhur.

“Raporti i ekspertizës më 10.01.2025 konfirmoi se substanca e bardhë pluhur, në sasi prej 31 gramësh e gjetur tek personi, ishte kokainë”, theksoi prokurorja Verica Berzhetska-Krstevska.

Gjatë procedurës për prezantimin e provave, prokurorja prezantoi edhe rezultatet e analizës ADN të sendeve të gjetura.

“Raporti i ekspertizës mbi gjurmët e gjakut nga pjesa e brendshme e një qese tregoi se substanca pluhur ishte e lidhur me ADN-në e njërit prej të akuzuarve”, shtoi Berzhetska-Krstevska.

Për të njëjtin person u krye kontroll në shtëpi, ku u konfiskua një telefon mobil. Sa i përket komunikimit mes të akuzuarve, u prezantuan lista të thirrjeve telefonike të kryera në gusht 2024. Sipas provave, ishte regjistruar komunikimi midis disa prej të akuzuarve, me vendndodhjet e bazave në zonat e banimit Keramidnicë dhe Debar Mëhallë.

Mes provave të prezantuara ishte edhe procesverbali nga gusht 2024 për kontrollin e një personi në Shkup, ku sipas akuzës ishte gjetur një qese me substancë bimore e fshehur në një prezervativ. Ekspertiza konfirmoi se ishte 16,5 gramë marihuanë. Gjithashtu, u prezantua provë për një substancë të bardhë në një automjet “Lexus”, ku ekspertiza tregoi se bëhej fjalë për 4,17 gramë kokainë.

Grupi, sipas aktakuzës, vepronte nga janari 2024 deri në janar 2025 dhe ishte mirë i organizuar, me role të qarta – nga blerja deri te shitja e kokainës dhe marihuanës. Aktakuza pretendon se i pandehuri kryesor Rade Trajkovski-Shtekli ishte organizatori dhe koordinatori, i cili kishte kontakte me persona të huaj dhe ndërmjetës vendas për blerjen fillestare të kokainës, duke dhënë udhëzime për zgjerimin e rrjetit.

Sipas provave të Prokurorisë, droga mbahej në apartamente të marrë me qira dhe shitej me çmime nga 4.500 deri në 6.000 denarë për gram kokainë dhe nga 200 deri në 300 denarë për gram marihuanë. Komunikimi bëhej përmes aplikacioneve të mbrojtura si “Snapchat”, dhe provat kryesore u siguruan përmes analizës së telefonave mobil.

Në fillim të procesit, i pandehuri kryesor Rade Trajkovski-Shtekli deklaroi se nuk e kupton aktakuzën, ndërsa të tjerët e mohuan fajësinë. Mbrojtja e Trajkovskit theksoi se do të provojë se ai nuk ka formuar as organizuar grup kriminal dhe se nuk ka prova që ai ka dhënë udhëzime, duke shtuar se pretendimet e Prokurorisë bazohen në supozime.

Aktakuza fillimisht përfshinte 16 persona, disa prej të cilëve kanë pranuar marrëveshje dhe kanë marrë dënime me burg, ndërsa për katër të akuzuarit procedura u nda pas pranimit të fajësisë.