Klekovski: FSSH-ja ka zbuluar një sërë parregullsish në disa institucione shëndetësore

Parregullsi të shumta janë detektuar në disa Institucione shëndetësore publike dhe private. Janë dhënë pushime mjekësore pa pasur nevojë, disa drejtor të klinikave kanë marrë paga më shumë se duhet, ndërsa klinikat gjinekologjike kanë punuar pa kupon fiskalë.

“Në lidhje me pushimet mjekësore, ne jemi duke shqiptuar dënime në 28 institucione private shëndetësore, ku dënimet do të jenë në shumë prej 1.2 milionë denarë dhe për dikë do të jetë për herë të parë, për dikë kemi përsëritje të dënimeve. Tek gjinekologët, për fat të keq kemi një valë të re të ankesave për mos dhënien e kuponit fiskal, kemi 12 ankesa të reja”, deklaroi Sasho Klekovski, drejtor i Fondit Shëndetësor.
Klekovski për Alsat tha se janë duke shqyrtuar ndryshimin e politikës penale, pasi dënimet e deritanishme nuk kanë ndikuar në ndalimin e shkeljeve të rregullave.
“Politika penale në disa zona nuk demotivon shkeljen e rregullave, dënimet janë të vogla dhe në thelb është e përballueshme ti shkelin rregullat. P.sh për institucionet publike shëndetësore dënimi maksimal është 75 mijë denarë, kështu që kjo nuk ka kuptim”, tha Sasho Klkeovski, drejtor i Fondit Shëndetësor.

Klekovski tha se Fondi është duke punuar bashkë me Ministrinë e Brendshme për të gjitha këto raste të detektuara.