Lidhjet e Lajçak me Epstein hedhin hije të rënda mbi dialogun Kosovë-Serbi

Një nga ngjarjet që ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare së fundi, është përfshirja e ish të dërguarit nga Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në komunikim me financierin pedofil Jeffrey Epstein.

Kjo çështje ka ngjallur reagime të mëdha në opinonin publik, duke pasuar më pas edhe me dorëheqjen e Lajçak nga pozita si këshilltar i kryeministrit sllovak Robert Fico.

Mirëpo, se a mund të ketë ndikim më tej ky zhvillim në dialogun Kosovë-Serbi, për faktin se Lajçak ishte pjesë e tij?

E në lidhje me këtë temë për “Bota sot”, foli Kryetari i Komitetit Austriak për zgjerimin e NATO-s, Gunther Fehlinger.

Si fillim, ai tha se, ndonëse nga viti 2024, Lajçak nuk është më pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, sipas tij dëmi që ia ka shkaktuar këtij procesi vazhdon të jetë prezent.

Foto galeri

Madje, sipas tij, përfshirja e emisarit sllovak në dosjet e Epstein ngrisin disa pyetje të rënda.

“Dialogu Kosovë-Serbi nuk është thjesht i bllokuar – është i rraskapitur politikisht, i diskredituar moralisht dhe strategjikisht i vjetëruar. Ngjarjet e muajve të fundit konfirmojnë atë që shumë në Kosovë e kanë thënë prej vitesh: ky proces ka dështuar dhe duhet të përfundojë.

Është e saktë që Miroslav Lajçak nuk është më ndërmjetësi kryesor i BE-së që nga viti 2024. Megjithatë, dëmi i lidhur me mandatin e tij nuk u zhduk me largimin e tij. Përkundrazi, zbulimet dhe dyshimet që qarkullojnë tani në lidhje me komunikimet e lidhura me çështjen më të gjerë Epstein ngrenë pyetje të rënda rreth të gjithë ekosistemit politik që formësoi dialogun gjatë mandatit të tij.

Ky nuk është një gjykim ligjor. Është një padi politike ndaj një sistemi të dështuar”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Fehlinger potencoi se dialogu mes palvëve nuk ka qenë asnjëherë neutral, pasi në krye të tij ishin persona që vinin nga shtete të nuk e kanë njohur Kosovën dhe annonin nga Serbia.

“Dialogu Kosovë-Serbi nuk ishte kurrë neutral. Ai u kap nga një lob pro-serb, i dominuar nga socialistët brenda BE-së, i cili sistematikisht e trajtoi Serbinë si një “partner që duhej të kënaqej” dhe Kosovën si një “problem që duhej disiplinuar”. Ky lob toleroi shkeljet e vazhdueshme të Serbisë, refuzimin e saj për të njohur Kosovën dhe përafrimin e saj të hapur me Moskën – ndërsa ndëshkoi Kosovën me sanksione dhe presion për mbrojtjen e rendit të saj kushtetues”.

Krahas kësaj, eksperti austriak komentoi edhe Marrëveshjen e Ohrit e të cilën e sheh si provë të dështimit të dialogut, derisa tha se nuk ka besueshmëri në të, pasi BE nuk është treguar e barabartë.

“Marrëveshja e Ohrit qëndron sot si provë e këtij dështimi. Serbia e ka injoruar atë. Kosova është fajësuar për të. Brukseli e ka zbatuar atë në mënyrë selektive. Nuk ka mbetur më besueshmëri për të shpëtuar.

Skandali më i gjerë rreth figurave të lidhura me këtë epokë dialogu vetëm sa përforcon një përfundim të pashmangshëm: vetë korniza e dialogut u kompromentua – politikisht, moralisht dhe strategjikisht. Një proces i formuar në një mjedis me gjykime të dyshimta, rrjete të errëta dhe verbëri gjeopolitike nuk mund të riparohet nga ndryshime kozmetike të personelit”.

Më tej, Fehlinger kritikoi qasjen e Serbisë dhe bashkëpunimin e saj me Putinin, derisa tha se e gjithë kjo tani duhet të mbyllet.

Për këtë, ai tha se Kosova duhet të hap kapitull tjetër dhe të fokusohet në disa pika kyçe mbi të cilat mund të zhvillohet dialogu më tej.

“Le të jemi të sinqertë: Sjellja e Serbisë nuk ka qenë kurrë ajo e një shteti anëtar të ardhshëm të BE-së. Është sjellja e një regjimi që koordinohet me Vladimir Putinin, destabilizon fqinjët e tij, lavdëron kriminelët e luftës dhe punon në mënyrë aktive kundër unitetit perëndimor. Megjithatë, kampi socialist i paqësimit të BE-së zgjodhi të shikonte diku tjetër – dhe Kosova pagoi çmimin.

Ky kapitull tani duhet të mbyllet.

Kosova nuk ka nevojë për një “ndërmjetës të ri” për një dialog të vjetër dhe të prishur. Kosova ka nevojë për:

një fund të formatit aktual të dialogut,

një politikë të BE-së të bazuar në vlera, jo në paqësim,

njohje të plotë të sovranitetit të Kosovës dhe

një rrugë të qartë integrimi euroatlantik — BE, NATO dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare”, nënvizoi eksperti austriak.

Në fund, ai shtoi se, dialogu nuk mund të vazhdohet siç ka ndodhur deri tani, duhet të ndryshohet kahje dhe për këtë BE duhet të pranojë gabimet e saj në këtë proces.

“Çdo përpjekje për të rinisur të njëjtin dialog nën një emër tjetër, me të njëjtën logjikë dhe të njëjtat rrjete politike, do të dështojë përsëri.

Çështja nuk është më nëse Dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë.

Çështja është nëse Bashkimi Evropian është gati të pranojë se ishte gabim — dhe më në fund të zgjedhë anën e demokracisë, ligjshmërisë dhe të vërtetës, anën e Kosovës evropiane kundër Serbisë ruse”, përfundoi Gunther Fehlinger për “Bota sot”.

© SYRI.net