Serwer: Lista Serbe, parti politike që nuk e pranon Kushtetutën e Kosovës dhe vepron si agjent i një fuqie të huaj

Eksperti amerikan Daniel Serwer ka deklaruar se Lista Serbe nuk e pranon Kushtetutën e Kosovës dhe vepron si agjent i një fuqie të huaj, duke e cilësuar këtë si problem për çdo vend demokratik.

I pyetur për qasjen e VV-së, Serwer tha se Kryeministri Albin Kurti nuk ka gjetur ende një zgjidhje, por ka qenë i suksesshëm në konsolidimin e pozitës së tij politike përmes përballjes me Listën Serbe.

Ai shtoi se Serbia ndikon drejtpërdrejt në proceset zgjedhore përmes presionit dhe frikësimit të votuesve serbë.

“Lista Serbe është një parti politike që nuk e pranon Kushtetutën e Kosovës dhe vepron si agjent i një fuqie të huaj. Nënkryetari i saj, sipas pranimit të tij, ka organizuar një sulm terrorist brenda Kosovës. Serbia përdor shërbimet e saj të sigurisë dhe patronazhin shtetëror për të frikësuar votuesit dhe për të siguruar që Lista të fitojë pothuajse të gjitha zgjedhjet ku merr pjesë”, tha Serwer,

“Kjo do të përbënte një problem për çdo vend demokratik. Nuk mendoj se Kryeministri Kurti ka gjetur një zgjidhje. Por ai ka qenë i suksesshëm në konsolidimin e pozitës së tij politike, pjesërisht duke u përballur me Listën Serbe. Pyes veten se sa më të qeta do të ishin gjërat nëse Beogradi do t’i lejonte qytetarët serbë të Kosovës të votonin sipas preferencave të tyre. Dyshoj se marrëdhënia e tyre me Prishtinën do të përmirësohej ndjeshëm, edhe nëse ata nuk e pranojnë Kushtetutën”, përfundoi ai për GazetaBlic.