Protiq: Kosova për Krimenë? Kjo do të ndodhë herët a vonë – për Banjskën të gjithë po heshtin

Ish-diplomati serb Milan St. Protiq ka vlerësuar se ekziston mundësia që Rusia në një moment ta njohë Kosovën, ose të paktën të mos përdorë veton në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Sipas tij, kjo çështje mund të shndërrohet në “monedhë shkëmbimi” në raportet mes fuqive të mëdha.

“Kjo do të ndodhë herët a vonë”, ka thënë Protiq në podcastin “Radar Forum” të gazetës serbe Radar.

Gazetari Boshko Jakshiq, i cili e moderonte emisionin, kujtoi deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka pretenduar disa herë se ka parandaluar tetë konflikte, përfshirë edhe një mes Serbisë dhe Kosovës.

“Kjo me siguri i referohet diçkaje që ka ndodhur pas Banjskës. Për këtë konflikt nga ‘lista’ e Trumpit, në Serbi ka pasur heshtje absolute. Nuk kam dëgjuar asnjë fjalë për të”, ka thënë Jakshiq.

Ai e pyeti Protiqin nëse një skenar realist mund të jetë ai në të cilin SHBA-ja do ta njihte Krimenë dhe katër rajonet në lindje të Ukrainës që Rusia i ka futur në kushtetutën e saj, ndërsa në këmbim presidenti rus Vladimir Putin do të pranonte ta njohë Kosovën ose, të paktën, të mos e përdorë veton ruse në Këshillin e Sigurimit.

“Edhe kjo do të mjaftonte. Kjo mundësi ishte e dukshme qysh para 20 vjetësh. Në momentin që fatin e një çështjeje kombëtare e vendos në duart e një fuqie të madhe, duhet të llogarisësh se ajo, për interesat e veta, mund ta përdorë si kartë pazari. Është logjike. Nuk duhet të jesh gjeni i politikës së jashtme për ta kuptuar këtë rrezik”, ka thënë Protiq.

Sipas tij, Serbia gaboi që kurrë nuk doli me një propozim të vetin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por vetëm refuzoi çdo ide të paraqitur, si gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ashtu edhe pas tij.

Duke folur për sulmin në Banjskë, Protiq ka thënë se mund të ketë prapaskena për të cilat publiku ende nuk di asgjë.

“Është simptomatike që të gjithë po heshtin. Hesht Beogradi, hesht Prishtina, hesht edhe Trumpi. Ai e përmendi, por pa dhënë asnjë detaj. A po ‘gatuhej’ diçka atje? Supozimi është se Banjska nuk ishte një incident i izoluar, por pjesë e një fushate më të gjerë që dështoi kur dështoi Banjska, dhe më pas plani u braktis”, theksoi ai.

Protiq shtoi se duket se ekziston interes, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, por edhe në Moskë dhe Washington, që kjo çështje të mos hetohet më tej.

“Përgjegjësia për Banjskën u përmend herë pas here, por jo në mënyrë mjaftueshëm autoritative ndaj Beogradit, sa për të shkaktuar shqetësim real. Diçka duhej të ndodhte, por nuk ndodhi, dhe me gjasë të gjithë janë të kënaqur që nuk ndodhi – prandaj nuk ka nevojë të ‘gërmohet’ më tej”, përfundoi ai.