Italia nis hetim ndaj një 80-vjeçari për “turizmin e snajperëve” në Sarajevë

Screenshot

Prokurorët në Milano kanë vënë nën hetim një burrë të moshuar Italian si pjesë e një hetimi rreth dyshimeve për “turizmin e snajperëve” në Sarajevë në vitet e nëntëdhjeta, thanë të mërkurën dy burime me njohuri rreth çështjes.

Burimet thanë se burri, që është individi i parë që identifikohet në hetimin e nisur vitin e kaluar, është një ish-vozitës 80-vjeçar i kamionëve që jeton afër qytezës veriore italiane, Pordenone, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Prokurorët po i hetojnë dyshimet se disa të huaj ishin paguar për të qëlluar me armë në drejtim të civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës gjatë luftës në Bosnjë para tri dekadave.

Burri italian, të cilit nuk iu publikua emri, ballafaqohet me disa pika të akuzës për vrasje me paramendim, të rënduara nga motivet e ulëta, thanë burimet.

Burimet nuk treguan nëse ai dyshohet se i ka kryer drejtpërdrejt vrasjet apo ka ndihmuar me transport dhe logjistikë për klientët.

Ai mbetet në liri dhe është ftuar nga prokurorët për t’u marrë në pyetje më 9 shkurt, shtuan burimet.

Rreth 11 mijë civilë u vranë nga predhat dhe zjarri i snajperëve nga pozicionet e ushtrisë serbe të Bosnjës në kodrat që shtrihen përreth qytetit të rrethuar gjatë luftës që nisi më 1992 e përfundoi më 1995.

Prokurorët në Milano e hapën hetimin e tyre, pasi gazetari italian, Ezio Gavazzeni, kishte dorëzuar padi rreth dyshimeve se disa italianë e të huaj të tjerë kishin paguar pjesëtarë të forcave serbe të Bosnjës për t’i lejuar ata që të merrnin pjesë në shëtitjet për të shtënë me armë drejt njerëzve. Disa njerëz po i referohen kësaj ngjarjeje si “turizmi i snajperëve”.

Gavazzeni ka thënë se është frymëzuar që t’i analizojë këto dyshime pasi e kishte shikuar dokumentarin “Sarajevo Safari”, i realizuar regjisori slloven, Miran Zupanic.

Sipas Gavazzenit, të huaj të pasur kishin paguar shuma të mëdha të të hollave për të marrë pjesë në këtë lloj “turizmi”. Ai ka thënë se italianët takoheshin në qytetin Triestë të Italisë para se të udhëtonin për në Beograd, ku ushtarët serbë të Bosnjës i përcillnin deri në kodrat afër Sarajevës./Nacionale