Irani i vë kushte SHBA-së për zhvillimin e bisedimeve

Irani po kërkon që bisedimet me SHBA-në këtë javë të zhvillohen në Oman jo në Turqi, dhe që fusha e diskutimeve të ngushtohet vetëm në negociata dypalëshe për çështjet bërthamore, ka thënë të martën për Reuters një burim rajonal.

Synimi i Iranit për të ndryshuar vendin dhe agjendën e bisedimeve, të planifikuara për të premten në Stamboll, vjen mes tensioneve të larta, ndërsa SHBA-ja po shton forcat në Lindjen e Mesme.

Aktorët rajonalë kanë shtyrë për zgjidhjen e një ngërçi që ka çuar në kërcënime të ndërsjella për sulme ajrore dhe ka nxitur frikën e përshkallëzimit në një luftë më të gjerë.

SHBA-ja të martën ka rrëzuar një dron iranian që iu afrua “në mënyrë agresive” aeroplanmbajtëses Abraham Lincoln në Detin Arabik, ka bërë të ditur ushtria amerikane të martën vonë.

Diplomati rajonal me njohuri për kërkesat e Iranit ka thënë se Teherani kërkoi “të ndryshonte formatin, dhe se ata duan të ndryshojnë fushëveprimin”.

“Ata duan të diskutojnë vetëm dosjen bërthamore me amerikanët, ndërsa SHBA-ja do të përfshijë tema të tjera, të tilla si raketat balistike dhe aktivitetet e përfaqësuesve të Iranit në rajon”.

Ndërkohë, një burim i njohur me situatën ka thënë të martën se dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, do të marrë pjesë në bisedime, së bashku me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Ëitkoff, dhe ministrin e jashtëm iranian, Abbas Araqchi.