Durmishi për pagën minimale: Deri në vitin 2028 do të rritet për 40%

Ministri i Ekonomisë ende nuk ka sjellë propozim që të mos rriten pagat e zyrtarëve, të cilat për shkak të rritjes së pagës mesatare pritet të rriten nga 200 deri në 300 euro. Ai thotë se do t’i presë të dhënat nga Enti i Statistikave dhe më pas do të veprojnë njësoj si vitin e kaluar, kur u pengua rritja e pagave të funksionarëve përmes uljes së koeficientëve. Durmishi e përsëriti qëndrimin për pagën minimale se Qeveria po lë që për këtë të merren vesh punëdhënësit dhe sindikatat. I pyetur nëse Qeveria do të pranojë subvencionimin e kontributeve që paga minimale të rritet në 600 euro, siç kërkon sindikata, ai tha se së shpejti do të ketë Këshill Ekonomiko-Social dhe aty do të merret vendimi.

“Paga minimale, nëse ju intereson kjo, në muajin mars do të nivelohet apo do të rritet rreth 7 ose 8 për qind. Nëse i bashkojmë vitin e kaluar, këtë vit dhe dy vitet e tjera që na vijnë, 2027 deri në 2028, do të kemi rritje rreth 40 për qind të pagës minimale. Rreth 40 për qind, nëse e marrim parasysh se paga minimale rritet për 7 ose 8 për qind”, deklaroi Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë.