Jurisprudenca vetëm në maqedonisht, Bashkim Selmani: Ministrat kanë qenë shqiptarë, dikush nuk i ka kryer obligimet

Studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut u është mohuar e drejta kushtetuese që provimin e jurisprudencës ta mbajnë në gjuhën shqipe. Kështu tha për Portalb.mk profesori universitar i juridikut, Bashkim Selmani përmes një bisede sqaroi dobësitë e sistemit të cilat kanë bërë që sot 385 studentë të kërkojnë përmes peticionit që ky provim të mbahet në gjuhën shqipe.

Selmani thotë se gjuha shqipe është kategori kushtetuese dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve e mundësojnë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe.

“Fatkeqësisht kjo e drejtë u është mohuar studentëve shqiptarë pa të drejtë për arsye se gjuha shqipe është zyrtare gjithë aty ku flitet dhe komunikohet në gjuhën shqipe dhe shteti është i detyruar t’i përshtatet të drejtës ligjore”, tha Selmani.

Ai thotë se ky diskriminim është bërë në bazë gjuhësore dhe është cenim i barazisë para ligjit.

Megjithatë ai kritikon se ka pasur neglizhencë të ekspertëve gjuhësorë dhe subjeketeve, pasi me sjelljen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i njëjti ligj për gjuhën shqipe duhej të përfshihej edhe në ligjet tjera.

Për arsye, ai thotë se ligji i gjuhëve nuk përfshi edhe në sistemin gjyqësor dhe kjo e ka vështirësuar ushtrimin e të drejtës gjuhësore.

Ai thotë se ministrat e drejtësisë kanë qenë shqiptarë, dhe se nuk e kanë kryer këtë detyrim ashtu siç e parasheh kushtetuta dhe ligji.

“Institucionet, në këtë rast Ministria e Drejtësisë mban një përgjegjësi jashtëzakonisht të lartë dhe janë të detyruara tu mundësojnë dhënien e provimit në gjuhën shqipe, të harmonizohen aktet nënligjore me kushtetutë dhe ligjin për gjuhë dhe të garantohet barazi reale dhe jo formale në sistemin e drejtësisë. Drejtësia nuk matet vetëm me ligje, por me barazi dhe qasje reale. Pa gjuhën shqipe në provimin e gjyqësorit nuk ka drejtësi gjithëpërfshirëse dhe as shtet multietnik”, tha Selmani.

Ai thotë se mos ofrimi i provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ndikon direkt edhe në Akademinë për Prokurorë dhe Gjykatës.

“Nëse merret për bazë dëmi që është shkaktuar do të shohim në emërimet e fundit prej 120 studentëve maqedonas 1 ose 2 janë shqiptarë, për sa i përket emërimeve është 19 me 1, sa u përket bashkëpunëtorëve profesionalë është 19 me 1, sa u përket praktikantëve e kështu me radhë, pra shqiptarët nuk kanë qasje në sistemin gjyqësor”, tha Selmani.

Ai thotë se pasi gjuha shqipe të zbatohet në proceset e lartpërmendura, faza e dytë është edhe mbajtja e seancave gjyqësore në shqip.

“Ne kemi raste kur i gjithë trupi gjykues janë shqiptarë ndërsa procedurat mbahen në gjuhën maqedonase. Detyrimisht duhet aty ku është 20% i paraparë në bazë të aspektit ligjor, të gjitha seancat dhe zhvillimet kanë të drejtë të zhvillohen në gjuhën shqipe”, tha Selmani.

Profesori thotë se sistemi i drejtësisë është baza me të cilën funksionojnë të gjitha të drejtat dhe detyrimet, dhe nëse neglizhohet ajo pse vendi të pretendojë Bashkimin Evropian.

“Janë disa procese me të cilat detyrimisht duhet të ndërhyhet dhe të mundësohet që studentët të japin provimin e gjyqësorit në gjuhën shqipe, provimin e përmbaruesit dhe provimin e noterëve, sepse është kategori kushtetuese”, përfundoi Selmani.

Kujtojmë se së fundmi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj. Megjithatë, deri tani institucionet nuk janë prononcuar për këtë çështje.

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.