Prej disa ditësh në rrjetet sociale, postimet e Bes Kallakut kanë ngjallur kureshtje dhe spekulime, ndërsa tashmë gjithçka duket se është bërë më e qartë. Ashtu siç ishte përfolur, pas lumturisë së aktorit tashmë fshihet dashuria.
Kështu gjatë një koncerti të mbajtur ditën e djeshme, Besi vendosi t’u japë fund pikëpyetjeve dhe komenteve të shumta nga ndjekësit, duke zbuluar publikisht personin të cilit i dedikohet tatuazhi i tij më i fundit. Përballë publikut, aktori ndau një moment tejet emocional, që u shndërrua menjëherë në një deklaratë dashurie.
“Jini falenderues Zotit në ditët tuaja më të mira dhe në ditët tuaja më të errëta. Unë gjithë jetën time kam bërë për të qeshur publikun, vetëm kam bërë për të qeshur dhe kishte vite që më kishte humbur buzëqeshja mua. Dhe meqë më keni pyetur aq shumë nëpër komente dhe nëpër mesazhe për tatuazhin që kam bërë, dua të falenderoj Zotin që më në fund më solli afër dikë që më solli edhe buzëqeshjen. Ejona, të dua!”
Pas këtij rrëfimi, mesazhi ishte më se i qartë. Ejona është emri që i ka rikthyer buzëqeshjen aktorit, duke e bërë atë të shfaqet më i lumtur se kurrë.
Në fakt, gjithçka nisi pak javë më parë, kur Besi publikoi në Instagram një foto të një tatuazhi misterioz, ku spikaste emri i një gruaje dhe një datë, ndërsa imazhi shoqërohej nga një këngë romantike. Postimi ndezi menjëherë reagime dhe aludime, të cilat tani gjejnë konfirmimin e tyre.
Pas këtij konfirmimi nga ana e aktorit, presim së shpejti ndonjë foto apo edhe detaje të tjera rreth vajzës “misterioze” qê i ka rrëmbyer zemrën Bes Kallakut.



