Bashkëshorti i Rita Orës, regjisori me famë botërore nga Zelanda e Re, Taika Waititi, ka rikthyer vëmendjen globale me një reklamë të veçantë dhe shumë të përfolur të Pepsi, e realizuar për shfaqjen madhështore të Super Bowl 2026.
Spot-i i ri, i titulluar “The Choice”, ka ndezur menjëherë debatet në rrjete sociale, duke u cilësuar nga shumëkush si një “goditje e mençur” ndaj rivalit të përhershëm, Coca-Cola.
Reklama nis me një ari polar, një figurë ikonike që publiku e lidh prej dekadash me Coca-Cola-n, i cili i nënshtrohet një testi të verbër shijimi mes dy pijeve freskuese. Rezultati del krejtësisht i papritur: pija që i pëlqen më shumë rezulton të jetë ajo e konkurrencës.
Ky moment shkakton një krizë identiteti te personazhi, duke e çuar atë drejt terapisë, ku përballë ka pikërisht vetë Taika Waititin, i cili shfaqet në rolin e psikologut. Më pas befas, ariu polar shfaqet me të dashurën e tij, arushën polare në një ‘kiss cam’ që rezulton të jetë në tribunat e Super Bowl. Me humor të zi dhe ironi të hollë, regjisori ndërthur rrëfimin vizual me një mesazh që sfidon besnikërinë e markave dhe zakonet e konsumatorëve.
Waititi, tashmë 50-vjeçar, është një nga emrat më të vlerësuar të kinemasë bashkëkohore, i njohur për filma si “Boy”, “Jojo Rabbit”, “Free Guy”, si dhe për sukseset e tij në universin Marvel me “Thor: Ragnarok” dhe “Thor: Love & Thunder”. Kjo nuk është hera e parë që ai vendos firmën e tij në reklamat e Super Bowl-it, pasi edhe vitin e kaluar kishte realizuar tri spote të ndryshme për këtë ngjarje sportive, duke e kthyer fushën e reklamave në një terren eksperimentimi artistik.
Siç ka deklaruar vetë ai për “Fast Company”, Waititi e sheh botën e reklamave si një lloj “palestre filmike”, ku ushtron kreativitetin e tij pa kufizimet e zakonshme të kinemasë tradicionale. Pikërisht kjo qasje reflektohet edhe në “The Choice”, e cila, pa zbuluar shumë nga përmbajtja, synon të argëtojë publikun dhe njëkohësisht të nxisë diskutim.
Reagimet në internet nuk kanë munguar. Disa përdorues e kanë vlerësuar reklamën për realizimin praktik dhe për faktin se nuk mbështetet te inteligjenca artificiale, ndërsa të tjerë kanë ironizuar me pyetje si: “A është tani një ari bipolar?”. E sigurt është se Taika Waititi, dhëndri i Kosovës, ka arritur sërish të jetë në qendër të vëmendjes globale, duke e kthyer një reklamë të thjeshtë në një moment kulture pop që po komentohet kudo.



