“I lutem atyre”, Mikel Arteta bën thirrje urgjente për ndryshimin e këtij rregulli në Ligën Premier

Mikel Arteta i ka bërë një apel të fuqishëm Ligës Premier, duke u lutur drejtuesve që të rrisin numrin e lojtarëve të përfshirë në skuadrën e ditës së ndeshjes, me qëllim mbrojtjen e shëndetit mendor të futbollistëve.

Trajneri i Arsenalit beson se rregullat aktuale janë të vjetruara, duke pasur parasysh ngarkesën e madhe që përballojnë futbollistët modernë, dhe ka kërkuar reformë të menjëhershme për të shmangur zhgënjimin “e panevojshëm” të lënies së lojtarëve jashtë.

Aktualisht, klubet e Ligës Premier lejohen të kenë në stol nëntë zëvendësues, çka nënkupton një skuadër totale prej 20 lojtarësh për ditën e ndeshjes.

Në kontrast, rregullorja e Ligës së Kampionëve lejon deri në 12 zëvendësues në stol, duke u dhënë trajnerëve shumë më tepër fleksibilitet.

Arteta mendon se ky dallim është i pakuptimtë, duke pasur parasysh rritjen e numrit të lojtarëve të nevojshëm për të konkurruar në disa fronte njëkohësisht.

“Për momentin, dy ose tre lojtarë duhet të mbeten jashtë skuadrës. Kjo është realiteti. Nuk mund ta ndryshoj”.

“Këto janë rregullat, por shpresoj që Liga Premier sezonin e ardhshëm, në vend të 18 lojtarëve të fushës, të lejojë 20”.

“I lutem nga këtu, ashtu si në Ligën e Kampionëve, sepse është shumë më mirë për menaxhimin e skuadrës, për ruajtjen e vlerës së lojtarëve dhe për shëndetin e tyre mendor, sepse askush nuk dëshiron të mbetet jashtë skuadrës”.

“Çdo javë duhet t’i themi dikujt: ‘Nesër nuk e bën detyrën. Nuk je as i lejuar të udhëtosh me ekipin’. Më tregoni një punë tjetër ku ndodh kjo”.

“Unë nuk mund të shkoj nesër në kuzhinë dhe t’u them dy kuzhinierëve të tjerë: ‘Sot nuk gatuani, thjesht rrini dhe shikoni si gatuajnë të tjerët ose shkoni në shtëpi’. Është vërtet shumë e vështirë”, ka deklaruar Arteta.