Arrestohen dy shtetas të Turqisë, me “rent a car” transportonin ilegalisht emigrantë në Maqedoni

Sot në mëngjes, policia ndaloi një “Skoda Octavia” në autostradën Gjevgjeli–Shkup dhe arrestoi dy shtetas turq, S.A.O. (35) dhe K.H. (32), të dyshuar për trafikim emigrantësh, përcjell TV21. Në automjet u gjetën katër emigrantë ilegalë nga Egjipti, të moshës 15–35 vjeç.

“Sot (31.01.2026), punonjësit e policisë arrestuan shtetasit S.A.O. (35) dhe K.H. (32), të dy shtetas të Republikës së Turqisë, për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale të trafikimit të emigrantëve. Rreth orës 02:30, në autostradën Gjevgjeli–Shkup, punonjësit e Policisë nga Stacioni Policor për Kontrollin Kufitar dhe Mbikëqyrjen e Kufirit “Bogorodicë” ndaluan një automjet pasagjerësh “Shkoda Octavia” karavan, me targa të Shkupit, pronë e një kompanie rent-a-car, që po drejtohej nga S.A.O., në të cilin si pasagjer ndodhej K.H. Gjatë kontrollit të automjetit, u gjetën katër emigrantë ilegalë nga Egjipti, në moshë nga 15 deri në 35 vjeç. Me urdhër të prokurorit publik, të dy personat u mbajtën në Stacionin Policor Gjevgjeli, ndërsa emigrantët u vendosën në Qendrën e Pranimit dhe Transitit “Vinojug”. Pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër tyre do të ngrihet kallëzim i përshtatshëm penal”, thonë nga MPB.