Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka vlerësuar se rreziku i përhapjes së virusit vdekjeprurës Nipah përtej Indisë është i ulët dhe ka bërë të ditur se nuk rekomandon kufizime për udhëtime apo tregti pas dy rasteve të konfirmuara së fundmi, ka raportuar Reutres.
“OBSH-ja vlerëson se rreziku i përhapjes së mëtejme të infeksionit nga këto dy raste është i ulët. Deri tani nuk ka prova për rritje të shkallës së përhapjes nga njeriu te njeriu”, kanë thënë për Reuters përfaqësues të OBSH-së, duke shtuar se India ka kapacitetet e nevojshme për t’i përballuar këto shpërthime.
Megjithatë, OBSH-ja nuk e përjashtoi mundësinë e ekspozimeve të tjera, pasi virusi Nipah qarkullon te lakuriqët e natës në disa zona të Indisë dhe Bangladeshit fqinj.
Virusi bartet kryesisht nga lakuriqët e frutave dhe kafshë si derrat, dhe mund të shkaktojë ethe dhe inflamacion të trurit.
Shkalla e vdekshmërisë varion nga 40 deri në 75 për qind dhe aktualisht nuk ka shërim, ndërsa vaksinat janë ende në fazë testimi.
Infektimi te njerëzit ndodh zakonisht përmes kontaktit me lakuriqë të infektuar ose fruta të kontaminuara.
Transmetimi nga njeriu te njeriu është i vështirë dhe kërkon kontakt të zgjatur me personat e infektuar.
Sipas OBSH-së, shpërthime të vogla të virusit nuk janë të pazakonta dhe rreziku për popullatën e gjerë mbetet i ulët.
Burimi i saktë i infektimit në këto raste ende nuk është plotësisht i qartë.
Dy punonjës shëndetësorë u infektuan në fund të muajit dhjetor të vitit 2025 në shtetin indian të Bengalit Perëndimor dhe aktualisht po trajtohen në spital.
India raporton herë pas here raste sporadike të virusit Nipah, sidomos në shtetin jugor Kerala, i cili konsiderohet një nga zonat me rrezikun më të lartë në botë për këtë virus.
Ky është shpërthimi i shtatë i dokumentuar në Indi dhe i treti në Bengalin Perëndimor.
Sipas OBSH-së, shpërthime janë regjistruar më parë edhe në vitet 2001 dhe 2007 në zona pranë kufirit me Bangladeshin, një vend që raporton pothuajse çdo vit raste të virusit Nipah.



