Portali investigativ Netpress ka reaguar lidhur me dënimin e gazetares Liridona Vejseli, duke e cilësuar këtë vendim si një rast të paprecedentë në historinë e drejtësisë maqedonase. Sipas Netpress, ky vendim godet drejtpërdrejt transparencën e sistemit gjyqësor dhe lirinë e informimit.
Precedenti që kërcënon gazetarinë
Netpress thekson se deri më tani, asnjëherë nuk është konsideruar si “keqpërdorim i të dhënave personale” publikimi i emrit dhe mbiemrit të një gjyqtari kur raportohet për një rast konkret apo vendim zyrtar.
”Bëhet fjalë për një precedent në gjyqësorin maqedonas, pasi deri më tani kurrë nuk është trajtuar, e as nuk ka qenë temë profesionale debati apo dileme, se publikimi i emrit dhe mbiemrit të një gjyqtari gjatë informimit për një rast konkret në një kronikë gazetarie përbën ‘keqpërdorim të të dhënave personale’,” shkruan Netpress.
Në reagimin e tyre, potencohet faktori kryesor që e bën këtë dënim të paligjshëm në sytë e profesionistëve: emri i një zyrtari gjatë ushtrimit të detyrës nuk është e dhënë private.
”Mbi të gjitha, emri dhe mbiemri i një gjyqtari i lidhur me një vendim zyrtar bën pjesë në kategorinë e informacioneve me interes publik,” përfundon portali Netpress.





