Donald Trump ka deklaruar se është “shumë e rrezikshme” që Mbretëria e Bashkuar të bashkëpunojë me Kinën, ndërsa kryeministri britanik Sir Keir Starmer vazhdon vizitën e tij në Pekin me synimin për të rivendosur marrëdhëniet dypalëshe, raporton BBC.
Presidenti amerikan reagoi ndaj marrëveshjeve që synojnë rritjen e biznesit dhe investimeve mes Britanisë së Madhe dhe Kinës, të shpallura pasi Sir Keir u takua me presidentin kinez Xi Jinping, në kuadër të një vizite treditore.
“Është shumë e rrezikshme për ta që ta bëjnë këtë,” u shpreh Trump gjatë premierës së një dokumentari për bashkëshorten e tij, Melania, kur u pyet për forcimin e lidhjeve ekonomike mes Britanisë dhe Kinës.
Në reagim ndaj komenteve të Trump, zyra e kryeministrit britanik bëri të ditur se Uashingtoni kishte qenë në dijeni paraprakisht për këtë vizitë dhe objektivat e saj. Downing Street theksoi gjithashtu se vetë presidenti amerikan pritet të vizitojë Kinën në muajin prill.
© SYRI.net



