VLEN: Retorika e BDI-së i paraqet shqiptarët si të paaftë për ligj, rend dhe barazi!

Akuzat e BDI / Frontit Evropian ndaj projektit “Safe City” dhe Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat janë kulmi i hipokrizisë politike dhe i nënçmimit të shqiptarëve.

Të thuash se “Safe City” u zbraz xhepat shqiptarëve do të thotë t’i paraqesësh shqiptarët si popull që nuk di të respektojë ligje, rregulla dhe standarde minimale të sigurisë. Kjo është një retorikë e rrezikshme dhe fyese, që nuk i shërben askujt tjetër përveç atyre që për vite kanë ushqyer kaosin dhe pandëshkueshmërinë për përfitime politike.

“Safe City” nuk është projekt ndëshkimi, por projekt rendi dhe mbrojtjeje të jetës. Kush është kundër sigurisë publike, në fakt është në anën e rrëmujës dhe privilegjeve të vjetra.

Edhe më skandaloz është sulmi ndaj Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Kur BDI thotë se “cilësia do të vihet para etnisë”, ajo po thotë në mënyrë implicite se shqiptarët qenkan problem për cilësinë. A po nënkupton BDI se shqiptarët nuk janë të aftë, të arsimuar dhe profesionistë?

Ky ligj nuk e ul cilësinë, ai e mbyll derën e diskriminimit. Barazia nuk është privilegj dhe përfaqësimi i drejtë nuk është pazari partiak që BDI e ka shfrytëzuar për dy dekada.

VLEN nuk do të heshtë përballë kësaj gjuhe përçmuese. Shqiptarët nuk janë problem për shtetin, problemi është politika 20 vjeçare e BDIsë që i trajton ata si justifikim për dështimet e veta.