Një raport i Eurostatit i publikuar më 27 janar ka treguar se 14.000 shqiptarëve u është refuzuar hyrja në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2024.
Në raport thuhet se në vitin 2024, 124.000 shtetas të vendeve të cilat nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian u refuzuan të hynin në BE nga kufijtë e tij të jashtëm, pothuajse i njëjti numër si në vitin 2023. Prej tyre, 57% u ndaluan në kufijtë tokësorë të jashtëm, 40% në kufijtë ajrorë dhe 3% në kufijtë detarë.
Siç thekson raporti, arsyet kryesore për refuzimin e hyrjes në BE ishin ose mungesa e justifikimit të qëllimit dhe kushteve të qëndrimit (24%), ose fakti që personat e refuzuar nuk kishin vizë ose leje qëndrimi të vlefshme, arsye që përbën 19% e të gjitha refuzimeve.
Në vitin 2024, Polonia raportoi numrin më të madh të refuzimeve (21.000 ose 17% e totalit të BE-së), e ndjekur nga Kroacia (14. 000 ose 11%), Franca dhe Rumania (secila me 10.000 ose 8%). Shumica e refuzimeve në kufijtë tokësorë u regjistruan në Poloni, në kufijtë detarë në Itali dhe në kufijtë ajrorë në Francë. Ukrainasit përbënin numrin më të madh të personave të refuzuar për hyrje në BE në vitin 2024 (20. 000 persona), të ndjekur nga shtetasit e Shqipërisë (14.000) dhe të Moldavisë (12.000).
Migrimi për në dhe nga BE-ja
Në vitin 2023, 4.4 milionë emigrantë shkuan në Bashkimin Evropian nga vendet jo-anëtare të BE-së. Kjo është 18 për qind më pak krahasuar me 5.3 milionë në vitin 2022.
Në të gjitha vendet e BE-së, përveç Luksemburgut dhe Sllovakisë, numri i emigrantëve që vinin nga jashtë BE-së tejkaloi numrin e emigrantëve që vinin nga vendet e tjera të BE-së në vitin 2023. Përqindjet më të mëdha u vunë re në Çeki dhe Lituani (të dyja me nga 89 për qind të emigrantëve të saj), Irlanda me 87 për qind, Sllovenia dhe Italia me nga 85 për qind.
Nga shifrat totale, vendet më të preferuara për emigrantët të cilët vijnë nga shtetet që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian janë Spanja, Gjermania, Italia, Franca, Polonia.
Njerëzit që migruan në këto pesë vende të Bashkimit Evropian, përfaqësonin 65 për qind të të gjithë emigrantëve që hynë në BE nga vendet jo-anëtare të BE-së në vitin 2023.



