Artikulli i përditësuar (13:35) – Prokuroria Themelore në Prishtinë në një komunikatë për media ka bërë të ditur se tre zyrtarët e arrestuar të Komunës së Prishtinës dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.
Ndër tre personat e arrestuar, A.G., është zënë në flagrancë për “marrje të ryshfetit. Sipas Prokurorisë, qëllimi i tij ka qenë që ta ndihmojë të dëmtuarin të realizojë një pagesë për punët të cilat i kishte kryer sipas kontratës me Komunën.
“Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, janë shoqëruar tre persona, ndër të cilët zyrtari i komunës, A.G., është arrestuar në flagrancë për veprën penale ‘’Marrje e ryshfetit’’ sipas nenit 421 të KPRK-së, me qëllim qe të ndihmojë të dëmtuarin të realizoj një pagesë për punët të cilat i kishte kryer sipas kontratës me komunën”, thuhet në njoftim.
Artikulli i përditësuar (12:41) – Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar për KOHËN se janë arrestuar tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës, e se njëri prej tyre është zënë në flagrancë.
“Janë shoqëruar tre persona për marrje ryshfeti. Janë zyrtarë të Komunës së Prishtinës, derisa njëri prej tyre është zënë në flagrancë”, ka thënë ai për KOHËN.
Siç ka bërë të ditur Gashi, aksioni është ndërmarrë pas hetimeve të fshehta të zhvilluara së fundmi.
Arrestohen dy zyrtarë të Komunës së Prishtinës
Dy zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë arrestuar të martën, nën dyshimin për marrje ryshfeti, ka mësuar KOHA.
KOHA ka mësuar se D.G. dhe B.S. janë zyrtarë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike.
Burimet kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për ryshfet nga një pronar i një kompanie lidhur me një tender.
KOHA ka kontaktuar Policinë e Kosovës. Sapo të ketë njoftim zyrtar, artikulli do të përditësohet.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se institucioni që ai udhëheq do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, pas arrestimit të tre zyrtarëve nën dyshimin për ryshfet.
“Askush mbi ligjin”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka thënë se Komuna është e hapur për verifikime dhe veprime procedurale.
“Kryeqyteti riafirmon përkushtimin ndaj sundimit të ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Në lidhje me arrestimin e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik. Në këtë frymë, Kryeqyteti Prishtina mbetet i hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural, në frymë bashkëpunimi dhe me respekt të plotë për organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës. Askush mbi ligjin!” ka shkruar Rama.
Të martën u arrestuan tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës. Ata dyshohen për ryshfet dhe keqpërdorim detyre. Njëri prej tyre u kap në flagrancë duke marrë ryshfet.



