Këtë vit do të arrijnë të gjitha 42 automjetet luftarake të tipit “Striker” për Ushtrinë, të cilat janë blerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), njoftoi sot ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, gjatë arsyetimit të një amendamenti në Komisionin parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri, përcjell TV21. Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri u shqyrtua informacioni lidhur me nevojën për miratimin e amendamentit nr. 2 për marrëveshjen që ka të bëjë me blerjen e 42 automjeteve lehtë të blinduara të tipit “Striker”, të nënshkruar mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së.
Misajllovski gjatë arsyetimit të tij tha se bëhet fjalë për një amendament teknik, pasi 17 automjete tashmë kanë mbërritur në portin e Greqisë dhe është e nevojshme një rregullim teknik për t’u proceduar sipas kërkesës së SHBA-së, si amendament për instalimin e gjithë pajisjeve që vijnë.
“Ky është një amendament teknik sepse është nënshkruar marrëveshja për 42 automjete luftarake të tipit ‘Striker’. Të gjitha do të arrijnë këtë vit. Tashmë 17 prej tyre janë në portin e Greqisë, për çka duhet të miratohet ky amendament. Më pas, të gjitha automjetet i marrim tek ne. Ato mbeten në Ushtri. Për përdorimin e tyre është e nevojshme trajnim”, tha ai.



