Një 52-vjeçar nga Kopanica e Sarajit, i kërkuar për tri vrasje që kanë ndodhur në Maqedoninë e Veriut, është lokalizuar dhe arrestuar në Tiranë nga policia shqiptare, pasi përdorte dokumente të falsifikuara të një shtetasi nga Kosova, përcjell TV21. Arrestimi u bë në kuadër të operacionit “Operacionalja” dhe pas verifikimeve ai do të ekstradohet në Maqedoninë e Veriut, ndërsa për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve materiali i është referuar Prokurorisë së Tiranës.
“I kërkuar për tri vrasje në Maqedoninë e Veriut, lokalizohet dhe kapet në Tiranë, 52-vjeçari. 52-vjeçari fshihej prej kohësh në Tiranë, duke përdorur dokumente identifikimi të falsifikuara, në emër të një shtetasi nga Kosova. Lokalizimi i tij, pas disa muajsh hetime dhe kërkime nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit. 52-vjeçari me masë sigurie “Arrest në burg”, për vrasje (maksimumi i dënimit për këtë vepër në Kodin Penal të RMV, burgim i përjetshëm). Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar në informacionet e siguruara gjatë një kohe të gjatë hetimi dhe gjurmimi, për lokalizimin dhe kapjen e një të kërkuari për vrasje të trefishtë në Maqedoninë e Veriut, është zhvilluar dhe finalizuar faza e 80-të e operacionit policor të koduar “Operacionalja”. Në kuadër të kësaj faze, shërbimet operacionale lokalizuan në zonën e Liqenit të Thatë, kapën dhe shoqëruan shtetasin e dyshuar për tri vrasje. Nga verifikimi i thelluar rezultoi se shtetasi i shoqëruar, i cili përdorte dokumente identifikimi dhe leje për drejtim të automjetit, të falsifikuara, me emër të një shtetasi nga Kosova, ishte person i shpallur në kërkim nga Maqedonia e Veriut, i akuzuar për vrasje të trefishtë. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin, i shtetasit B. Sh, 52 vjeç, banues në Kopanica, Saraj, Maqedoni e Veriut. Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi Interpol Shkupi e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Shkupit, në vitin 2007, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, vepër për të cilën legjislacioni penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënim maksimal, burgim të përjetshëm. Ky shtetas dyshohet se më datë 05.10.2007, në fshatin Kopanica, Shkup, Maqedoni e Veriut, ka vrarë me armë zjarri, 3 shtetas. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, këtij shtetasi i janë gjetur dhe sekuestruar 1 pasaportë kosovare, kartë identiteti kosovare dhe leje për drejtim të automjetit, të falsifikuara, me gjenealitetet e një shtetasi nga Kosova. Ndërkohë, Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Shkupin, do të vijojë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Maqedoninë e Veriut”, thonë nga Policia Shqiptare.

Nga lista e kërkimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Maqedoni, shihet se bëhet fjalë për Besim Sherifin nga Kopanica.



