Pesë kandidatë për prokuror publik të shtetit, priten edhe aplikime të mundshme me postë

Pesë kandidatë janë paraqitur në shpalljen e Kuvendit për prokuror publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila përfundoi mbrëmë në mesnatë, por për mbylljen përfundimtare të listës do të lihet afat prej 2–3 ditësh për aplikimet e mundshme që janë dërguar me kohë me postë, por ende nuk kanë mbërritur, transmeton Portalb.mk.

Deri tani kanë aplikuar ushtruesja aktuale edetyrës së prokurores publike të shtetit, Anita Topollova-Isajllovska, prokurorja Lençe Ristovska, gjykatësi i Gjykatës Penale Nenad Savevski, ish-kryetari i Gjykatës Penale Vlladimir Pançevski, si dhe prokurorja nga Prokuroria e Shkupit, Lidija Raiçeviq.

Kandidaturë për këtë funksion kishte paralajmëruar edhe ish-prokurori i lartë publik i Prokurorisë së Lartë Publike të Shkupit, Mustafa Hajrrulah, por më pas është tërhequr nga kjo nismë.

Në vend të Ljupço Kocevskit, i cili dha dorëheqje të parevokueshme në dhjetor të vitit të kaluar, u emërua si ushtruese detyre prokurorja Topollova-Isajllovska, e cila ishte kandidate e vetme, por nuk mund të qëndrojë në këtë pozitë më gjatë se gjashtë muaj.

Sot, në ditën e fundit të shpalljes, nga shërbimi për media i Kuvendit deklaruan se në arkivin e Kuvendit janë dorëzuar katër aplikime për këtë pozitë, por nuk ndanë detaje se kush janë aplikuesit.

Procedura për zgjedhjen e prokurorit të ri publik të shtetit filloi me shpalljen e publikuar nga Kuvendi më 12 janar të këtij viti, me afat aplikimi prej 15 ditësh nga dita e publikimit në “Gazetën Zyrtare”.

Sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, kandidaturat e pranuara i dërgohen Qeverisë. Pas aplikimit, Qeveria kërkon mendim nga Këshilli i Prokurorëve Publikë për të gjithë kandidatët. Këshilli është i obliguar të dorëzojë mendime brenda 15 ditësh. Nëse Këshilli nuk jep mendim pozitiv për asnjë nga kandidatët e paraqitur, Qeveria nuk mund të përcaktojë propozim dhe i propozon Kuvendit shpalljen e thirrjes së re. Prokurori i ri publik i shtetit duhet të zgjidhet me 61 vota të deputetëve.