VLEN: ‘Safe City’ ka tolerancë prej 6 km/h për shpejtësi deri në 100 km/h dhe 8 km/h për shpejtësi mbi 100 km/h

VLEN vlerëson se sistemi “Safe City” është një nga ligjet më të rëndësishme për sigurinë publike në Maqedoninë e Veriut, pasi në thelb ka mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe parandalimin e aksidenteve rrugore. Sipas tyre, ky ligj nuk ka për qëllim gjobitjen, por krijimin e kushteve për lëvizje të sigurt për këmbësorët, çiklistët, përdoruesit e trotinetëve elektrikë dhe personat me aftësi të kufizuara. VLEN thekson se tolerancat e kamerave do të jenë të njëjta me ato të radarëve policorë: 6 km/h deri në 100 km/h dhe 8 km/h mbi 100 km/h, duke dëshmuar se fokusi është parandalimi dhe jo ndëshkimi. Toleranca vlen vetëm për kundërvajtje, ndërsa nuk aplikohet në rastet e veprave penale në komunikacion.

“Sa i përket zbatimit të sistemit, theksojmë se tolerancat e kamerave do të jenë identike me ato që tashmë aplikohen nga radarët policorë: tolerancë prej 6 km/h për shpejtësi deri në 100 km/h dhe 8 km/h për shpejtësi mbi 100 km/h. Kjo dëshmon qartë se qëllimi nuk është ndëshkimi, por parandalimi i shkeljeve që rrezikojnë jetën e njerëzve. Toleranca vlen vetëm për kundërvajtje dhe nuk aplikohet në rastet e veprave penale në komunikacion. Mesazhi i VLEN është i qartë: rregullat ekzistojnë për t’u respektuar dhe për të mbrojtur jetën. Siguria nuk është ndëshkim, siguria është përgjegjësi kolektive. “Safe City” është ligj për një shoqëri më të sigurt, më të rregullt dhe më humane”, thonë nga VLEN.