Rutte: NATO-ja pret nga Beogradi përcaktimin e përgjegjësinë për sulmin në Banjskë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se aleanca pret përgjegjësi nga Serbia për ngjarjet në Kosovë, duke përfshirë sulmin në Banjskë dhe gjithashtu edhe sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it në maj të 2023-ës.

Rutte gjatë një adresimi në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ka thënë po ashtu se për të dyja këto ngjarje, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka premtuar përcaktimin e plotë të përgjegjësisë.

“Kam një marrëdhënie personale me presidentin (e Serbisë) Aleksandar Vuçiq. E njohim njëri-tjetrin prej shumë vitesh. Por, natyrisht presim nga ai që të përcaktojë përgjegjësinë për atë që ndodhi disa vite më parë, dhe kjo për dy çështje. Për të dyja ka premtuar përcaktimin e plotë të përgjegjësisë”, tha Rutte.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjatë këtij adresimi, rikonfirmoi edhe mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi.

Rutte po ashtu theksoi se NATO-ja është e përkushtuar ndaj situatës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se aleanca ushtarake perëndimore nuk do të lejojë krijimin e një vakumi të sigurisë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të rritura viteve të fundit dhe incidenti më i rëndë u regjistrua shtatorin e vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit, kur një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Në këmbimet e zjarrit që pasuan u vranë tre sulmues serb.

Politikani nga Kosova dhe biznesmeni Millan Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin, dhe prej atëherë ai ndodhet në Serbi, ku nuk është ndjekur penalisht deri më sot.

Këtij incidenti të armatosur i paraprinë protesta në veri të Kosovës të mbajtura në maj të po atij viti. Më shumë se 90 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë në Zveçan.

Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët lokalë.

Për ngjarjet në Zveçan, janë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra persona, dhe disa janë dënuar me burgim pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë. NATO-ja ka kërkuar që përgjegjësit për të dyja rastet të përballen me drejtësinë. /REL