LSDM: 150 paga minimale kushtojnë orët e Mickoskit!

Partia opozitare LSDM reagoi publikisht duke deklaruar se Kryeministri Hristijan Mickoski është në krye të listës së politikanëve nga vendet anëtare të NATO-s me orët më të shtrenjta.

Sipas LSDM-së, anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është rezultat i politikës shtetformuese të kësaj partie, e cila është kujdesur për interesat e shtetit dhe jo për interesa personale apo luks individual. Sipas deklaratës, po të varej nga Mickoski, sot Maqedonia nuk do të ishte anëtare e NATO-s.

Sipas deklaratës së pasurisë, Mickoski posedon një koleksion orësh me vlerë 60.000 euro, ndërsa paga minimale në vend është 396 euro, që sipas LSDM-së do të thotë se orët e tij kushtojnë sa 150 paga minimale.
LSDM thekson se një punëtor në Maqedoni duhet të punojë rreth 12 vite për të fituar aq para sa vlera e këtyre orëve, pa shpenzuar asgjë për jetesë.

Në komunikatë thuhet se Maqedonia ka pagën minimale më të ulët në Evropë, ndërsa qeveria e Mickoskit, sipas opozitës, investon në luks, udhëtime, tenderë dhe shpenzime elitare, por jo në mirëqenien e punëtorëve.

“Para ka për orë luksoze, tenderë, avion të ri dhe udhëtime në Davos – por jo për punëtorët. Kjo është politika e qeverisë së Mickoskit”, thuhet në reagimin e LSDM-së.