Faton Selami betohet si Avokat i Popullit: Nevojiten punësime!

Faton Selami u betua si Avokat i Populli, duke dhënë deklaratë solemne para kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, përcjell TV21. Selami tregoi disa nga top prioritetet e tij në krye të këtij institucioni.

“Në atë drejtim duhet të punohet, që të ekipohemi në mënyrë kadrovike, pasi që institucioni punon me kapacitet prej 40% të administratës, duhet të ketë punësime të reja. Gjithashtu duhet të zgjidhen me Badenter në Parlament edhe zëvendësit e Avokatit të Popullit dhe do të duhet të kalohen në Parlament edhe Ndryshimet dhe Plotësimet e Ligjit për Avokatin e Popullit. Unë do të kërkoj që edhe gjoba të parashihen, në qoftë se nuk respektohen rekomandimet e Avokatit të Popullit, të mund të shqiptohen edhe gjoba”, tha Selami.

Selami vjen në vendin e ish Avokatit të Popullit Naser Ziberi, i cili më 12 korrik 2025 e përfundoi mandatin për shkak të plotësimit të kushteve për pensionim. Avokati i ri i Popullit është jurist i diplomuar dhe magjistër i shkencave juridike, me provime të dhëna të noterit dhe jurisprudencës. Mandati i Avokatit të Popullit zgjat tetë vjet, me mundësi edhe për një rizgjedhje, sipas Ligjit dhe procedurave të Kuvendit.