Universiteti i Tetovës e largoi Artan Grubin nga ueb-faqja e tyre një ditë pas lajmit të Portalb.mk se Grubi i Listës së Zezë Amerikane që ndodhet në arrati pavarësisht se u shkarkua nga Universiteti i Tetovës para më shumë se një viti, ai ende figuronte në ueb-faqen e universitetit si profesor në Fakultetin Juridik.
Një ditë pas publikimit të lajmit, Portalb.mk verifikoi ueb-faqjen e UT-së dhe pa se e kishin larguar Grubin nga aty.
Nga UT-ja nuk kanë dhënë ndonjë sqarim se pse Grubi qëndroi aty më shumë se një vit edhe pasi u shkarkua nga kjo detyrë.

Ditën e premte, nga UT-ja edhe pse të pyetur për këtë çështje na thanë se janë në pushim dhe se do të na kontaktojnë të hënën (sot).
Forumi për Ndryshime në Arsim theksoi se mirëmbajtja dhe përditësimi i ueb-sajtit ka të bëje me transparencën, sipas tyre, një koncept totalisht i panjohur për Universitetin e Tetovës.
Kujtojmë që Artan Grubi i cili ishte i punësuar si profesor në Departamentin e Gazetarisë u shkarkua në janar 2025 pasi nuk ishte paraqitur në punë për disa ditë.
Artan Grubi në fund të vitit 2024 u fut në Listën e Zezë Amerikane në për korrupsion dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore për të shpëtuar Sasho Mijallkovin, pas së cilës ai u tërhoq nga jeta publike.
Pak ditë më vonë, ai u arratis nga vendi, ndërsa kërkohet me fletarrest ndërkombëtar së bashku me ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore Përparim Bajramin, për rastin ‘Lotaria’. Atyre u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë. Që të dy dyshohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi 8.2 milion euro. Ata ngarkohen për veprën penale “mashtrim në shërbim” sipas nenit 354 të Kodit Penal, që parashikon dënim me të paktën katër vjet burg.



