Lëndohen 11 policë nga protesta e PD-së në Shqipëri, 18 të arrestuar

Policia e Tiranës ka dalë në njoftim zyrtar në lidhje me arrestimet e bëra dje në protestën e opozitës.

Sipas Policisë, janë arrestuar 18 protestues, 17 janë proceduar dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë, pasi hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë.

Gjatë tubimit u dëmtuan 11 punonjës policie, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën, thuhet në njoftim,

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin sociali X, pas protestës kombëtare të opozitës, duke dënuar aktet e dhunës dhe shkatërrimit të pronës publike, ndërsa shprehu solidaritet me punonjësit e policisë që u plagosën gjatë përplasjeve.

Rama theksoi se protesta është e drejtë demokratike, por dhuna e organizuar nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë e shprehjes.

‘Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona”, ka shkruar ai.

Partia Demokratike në Shqipëri ka mbajtur protestë para Kryeministrisë.

Pas përfundimit të protestës së opozitës përballë Kryeministrisë dhe Kuvendit, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli me një deklaratë në seli. Ai i kërkoi komisariateve të lironin 25 protestuesit e arrestuar dhe se ky është kilometri i fundit drejt fitores.

Protesta e dytë kombëtare e PD-së nuk u kalua pa tensione dhe dëme.