Ditëve të fundit një debat të ashpër në publik shkaktuan rregullat e reja që Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAA) i prezantoz për influencerët. Disa nga krijuesit e përmbajtjeve reagojnë se me detyrimin për regjistrim dhe pagesën e kompensimit prej 0,5 përqind rrezikohet liria e fjalës dhe se puna e tyre po barazohet në mënyrë të pajustifikuar me mediat klasike. Disa prej tyre e konsiderojnë të turpshëm faktin që shteti dëshiron t’u marrë para për diçka që e kanë krijuar vetë, pa mbështetjen e shtetit, transmeton Portalb.mk.
Pas valës së reagimeve, pakënaqësive dhe akuzave, Meta.mk bisedoi me drejtorin e ASHMAA-s, Zoran Trajçevski, i cili në këtë intervistë nuk tregoi se cilët influencerë kanë marrë pjesë në hartimin e dokumenteve, por shpjegon se kë përfshin rregullimi, si dhe pse, sipas tij, bëhet fjalë për një kornizë ligjore që sjell siguri më të madhe, e jo censurë.
Kush punoi në dokumentet për influencerët? A ishin të përfshirë edhe ata vetë në hartimin e tyre? Nëse po, cilët influencerë ishin të përfshirë dhe a kishin vërejtje që në procesin e krijimit të rregullave?
Është e domosdoshme të theksohet se ka dy dokumente, njëri është Rregullore për personat fizikë ofrues të shërbimeve mediatike audio dhe audiovizuale me kërkesë (influencerë/vlogerë/krijues të përmbajtjeve), ndërsa tjetri është Udhëzues për influencerë/e, vlogerë/e, krijues/e të përmbajtjeve. Bëhet fjalë për dy dokumente të ndryshme me natyrë juridike dhe qëllim të ndryshëm. Të gjitha dokumentet lidhur me punën e këtyre subjekteve janë të disponueshme në uebfaqen e Agjencisë në banerin e veçantë „Influencerë/Vlogerë“ në këtë link. Rregullorja është miratuar në bazë të detyrimit ligjor të paraparë në Ligjin për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale dhe ka për qëllim që të definojë saktësisht se cilët persona fizikë do të jenë subjekt i rregullimit. Në këtë dokument janë definuar kritere të qarta që duhet të plotësohen në mënyrë kumulative që një person të konsiderohet ofrues i shërbimeve mediatike audio dhe audiovizuale me kërkesë. Me fjalë të tjera, Rregullorja ka karakter normativ dhe shërben për siguri juridike, parashikueshmëri dhe trajtim të barabartë të të gjithë subjekteve në treg. Rregullorja është hartuar nga Agjencia në bashkëpunim me ekspertë dhe kolegë nga organi rregullator gjerman, ku gjatë procesit ishin të përfshirë edhe influencerët vendas. Influencerët dhanë mendimet dhe sugjerimet e tyre si individualisht, ashtu edhe në takime të përbashkëta, dhe një pjesë e atyre mendimeve dhe propozimeve u pranuan dhe u inkorporuan drejtpërdrejt në versionin final të Rregullores. Madje, ishte propozimi i tyre që numri i ndjekësve të jetë 10.000, në vend të 30.000 siç kishte përcaktuar më parë ASHMAA. Për dallim nga Rregullorja Udhëzuesi ka vetëm rol shpjegues dhe shërben për ta lehtësuar zbatimin praktik të detyrimeve ekzistuese ligjore dhe nënligjore, sidomos në pjesën e mbrojtjes së të miturve, shënimit të reklamave, sponsorizimeve dhe vendosjes së produkteve, ndalimit të diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes. Edhe ky dokument është hartuar nga Agjencia. Në kuadër të debatit publik që zgjati 30 ditë arritën pyetje dhe vërejtje nga një influencere. Për të siguruar pjesëmarrje më të madhe të influencerëve Agjencia organizoi edhe një takim ku u diskutua për dilemat dhe propozimet shtesë. Mbi bazë të kësaj u bënë disa ndryshime në tekstin e dokumentit para miratimit të tij.
A ju është drejtuar ju si ASHMAA zyrtarisht ndonjë nga influencerët me reagim pas publikimit të dokumenteve? Nëse po, për çfarë konkretisht reagojnë?
Sa i përket Rregullores deri më tani nuk kemi pranuar asnjë reagim në lidhje me përmbajtjen e saj. Email-et që po marrim në numër gjithnjë e më të madh nga influencerët dhe krijuesit e përmbajtjeve janë interesime për regjistrim, m ç’rast kërkohen informacione shtesë dhe sqarime për procedurën e regjistrimit në Regjistër, kushtet që duhet të plotësohen dhe mënyrën e dorëzimit të aplikimit. Sa i përket Udhëzuesit më së shpeshti kërkohen sqarime lidhur me zbatimin e tij praktik. Kjo tregon se fokusi i palëve të interesuara është vënë në harmonizimin me kornizën e re rregullatore dhe përmbushjen me kohë të detyrimeve.

Mbi çfarë baze do ta arkëtojë ASHMAA shumën prej 0,5 përqind? Në çfarë mënyre u definua që kjo përqindje të jetë pikërisht 0,5 përqind?
Kompensimi prej 0,5 përqind është i paraparë drejtpërdrejt në Ligjin për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale, konkretisht në nenin 142, që do të thotë se bëhet fjalë për detyrim ligjor, e jo për një taksë të re të vendosur me akt nënligjor. Me përjashtim të radiodifuzorëve për të cilët ekziston një kompensim tjetër, gjegjësisht ata paguajnë kompensim për leje, ky detyrim për kompensim prej 0,5 përqind ekziston tërë kohën për subjektet e tjera që janë objekt rregullimi që nga miratimi i Ligjit në vitin 2013. Prandaj, detyrimi nuk është as specifik e as ekskluziv për influencerët, por e njëjta normë dhe e njëjta logjikë e financimit zbatohet edhe për operatorët kabllovik që ritransmetojnë servise programore dhe për ofruesit e shërbimeve video me kërkesë.
Në një pjesë të Udhëzuesit thuhet: “Videot që përmbajnë vendosje të produkteve nuk guxojnë t’i nxisin drejtpërdrejt konsumatorët t’i blejnë ose t’i marrin me qira produktet ose shërbimet përmes rekomandimit ose promovimit të veçantë promovues“. Por pikërisht ky është qëllimi përfundimtar i kompanive, të shesin një produkt ose shërbim përmes rrjeteve sociale. Si mendoni ju se duhet të duket një video që „nuk do të nxisë“ një konsumator ta blejë një produkt?
Kjo fjali në Udhëzuesin për influencerë(e), vloger(e) dhe krijues(e) të përmbajtjeve buron nga neni 55 i Ligjit për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale, i cili i rregullon rregullat për këtë formë të komunikimit komercial. Vendosja e produkteve është vetëm një nga llojet e komunikimeve komerciale që mund ta përdorin influencerët për të realizuar të ardhura. Të tjerat janë reklamimi dhe sponsorizimi. Secila prej këtyre formave të komunikimeve komerciale ka specifikat e veta në varësi të të cilave janë formuluar edhe rregullat që vlejnë për ato. Konkretisht, gjatë vendosjes së produkteve produkti ose shërbimi që duam ta promovojmë është i integruar në vetë veprimin e videos. Prandaj, me qëllim të mbrojtjes së përdoruesve të shërbimeve, si dhe integritetit të vetë përmbajtjes, Ligji përcakton rregulla të tjera për këtë lloj komunikimi komercial. Nxitja e drejtpërdrejtë e konsumatorëve/përdoruesve të shërbimeve të influencerëve për blerjen e një produkti ose shërbimi nuk është aspak e ndaluar, por këto janë karakteristika dhe lejohen për formën komerciale të reklamimit. Prandaj videot e tilla duhet të shënohen si reklamim, e jo si vendosje e produktit. Të gjitha këto rregulla burojnë nga Ligji për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale, i cili është i harmonizuar me Direktivën për Shërbimet Mediatike Audiovizuale të BE-së.
Në një pjesë të Rregullores shkruan se „pas regjistrimit është paraparë që ASHMAA të kryejë mbikëqyrje“. Për çfarë lloj mbikëqyrjesh bëhet fjalë?
Agjencia ka detyrim ligjor të kryejë mbikëqyrje programore dhe administrative për respektimin e detyrimeve të përcaktuara me Ligjin për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale dhe me aktet nënligjore. Në Udhëzuesin për influencerë(e), vloger(e) dhe krijues(e) të përmbajtjeve janë përmbledhur të gjitha detyrimet programore dhe administrative të influencerëve. Ato programore kanë të bëjnë me mbrojtjen e të miturve, qasjen e videove për personat me aftësi të kufizuara, rregullat për reklamim, sponsorizim dhe vendosjen e produkteve, rregullat për organizimin e kuizeve dhe lojërave shpërblyese, parimet bazë për sigurimin e shërbimit mediatik audiovizual dhe ndalimin e diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes. Detyrimet administrative të influencerëve janë regjistrimi, pagesa e kompensimit, sigurimi i qasjes së përdoruesve në informacione të caktuara për shërbimin dhe evidenca e videove.
A duhet të jenë pjesë e regjistrit edhe ata që kanë minimum 10 mijë ndjekës, por nuk fitojnë nga përmbajtja që e publikojnë në rrjetet sociale?
Jo. Pasja e 10.000 ndjekësve nuk mjafton që të bëheni subjekt i detyrimit për regjistrim. Në të përfshihen vetëm ata persona që i plotësojnë në mënyrë kumulative të gjitha kriteret e përcaktuara me Rregulloren, dhe ato janë: ofrojnë shërbime mediatike audiovizuale përmes platformave për shpërndarjen e videove (për shembull YouTube, Instagram, TikTok e të ngjashme); kanë më shumë se 10.000 ndjekës ose abonentë; realizojnë interes ekonomik nga shërbimi mediatik; në 12 muajt e fundit kanë publikuar të paktën 24 përmbajtje audiovizuale; që kanë për qëllim të informojnë, edukojnë, argëtojnë dhe kanë përgjegjësi redaktuese për përmbajtjet. Prandaj, nëse një person ka më shumë se 10.000 ndjekës, por në asnjë mënyrë nuk fiton nga përmbajtja që publikon, ai nuk i nënshtrohet detyrimit për regjistrim në Regjistrin e Agjencisë.
A vlejnë të njëjtat rregulla si për influencerët edhe për dikë që ka biznesin e vet, ka profil në Instagram dhe ka mbi 10 mijë ndjekës?
Rregullorja para së gjithash e merr parasysh mënyrën e përdorimit të profilit dhe njeh forma të ndryshme të realizimit të përfitimeve materiale dhe interesit ekonomik. Kur profili përdoret për prezantimin e produkteve ose shërbimeve dhe në këtë mënyrë promovon ose jep mbështetje për aktivitetin afarist të dikujt, është e mundur të konsiderohet se ekziston interes ekonomik, por çdo rast do të shqyrtohet individualisht. Përsëri theksojmë se që një person të konsiderohet influencer duhet të plotësohen në mënyrë kumulative disa kritere (të cilat i theksuam në përgjigjet e pyetjes numër 6).
Si dhe sa janë gjobat nëse një influencer nuk regjistrohet në Regjistrin e ASHMAA-s?
Ligji parasheh një sistem të qartë dhe gradual të sanksionimit për të gjithë subjektet që nuk veprojnë sipas detyrimeve. Në praktikë nuk fillohet menjëherë me ndëshkim. Në fillim Agjencia shqipton vërejtje publike, me të cilën theksohet detyrimi dhe lihet një afat i adekuat për harmonizim. Nëse edhe pas vërejtjes së shqiptuar subjekti nuk harmonizohet me detyrimet ligjore, atëherë vijon ngritja e procedurës kundërvajtëse para gjykatës kompetente, ku sipas Ligjit për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audiovizuale gjoba në të holla sillet nga 250 euro deri në 500 euro. Kjo qasje la për qëllim arritjen e harmonizimit dhe sigurisë juridike, e jo represionin, me një qëllim të qartë – një treg digjital të rregulluar dhe transparent.



